Kërkesat e avokatëve/ Haxhia: Do të reagojmë nëse nuk merren parasysh

Mos i humb

Një drejtësi që i bindet vetëm prokurorisë dhe nuk merr parasysh kërkesat e avokatëve, që mbrojnë në fushëbetejën e gjyqësorit interesat e qindra shtetasve.

Kreu i dhomës së avokatisë për të gjithë vendin, Maksim Haxhia e shpreh kështu shqetësimin se si po trajtohen avokatët në gjykime dhe për këtë sjell shembullin flagrant të gjobitjeve, jo për faj të tyre. Në këtë pikë, kryetari i avokatisë paralajmëron bojkotim të proceseve në të gjithë vendin.

“Janë skandal, shkalla e parë dhe shkalla e dytë marrin masa në mënyrë arbitrare për avokatët, por mos të kujtojnë se nuk do ketë reagim, numri i të gjobiturve ka shkuar deri tani mbi 80 avokatë, përfshi dhe mua. Këtë e bëjnë për t’i treguar KLGJ-së dhe organeve ku ata japin llogari, që ne jemi konform ligjit dhe e dyta për të hequr përgjegjësinë administrative dhe ngarkesën që kanë. Po e them dhe njëherë që nuk do vazhdojë më gjatë kjo situatë dhe do jeni prezentë se si do reagojë dhoma, do bllokojmë proceset gjyqësore dhe do kallëzojmë penalisht gjyqtarët që abuzojnë me të drejtën e vendimmarrjes”, tha Prof.Dr. Maksim Haxhia, kryetar i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë.

Sipas Haxhisë, indiferenca e drejtësisë për të mos parë edhe anën tjetër vjen nga presioni i vettingut, çka u mohon qytetarëve të drejtën për t’u mbrojtur.

“Po abuzojnë së pari për interesa personale dhe kategoria tjetër është ajo e atyre që nuk kanë kaluar në vetting dhe që po shprehen drastikisht duke i shërbyer shtetit, kjo kategori janë trima për të shkelur ligjin dhe frikacakë për ta zbatuar atë, pasi kështu japin mesazhin që bëjnë ç’të duan nëse ua kërkojnë kontrolluesit”.

Me skepticizmin ndaj një kategorie tjetër gjyqtarësh dhe prokurorësh që në pritje të vettingut janë kthyer akoma më problematikë Haxhia parashikon:

“Të siguroj që kjo do sjellë problemin nga një drejtësi e korruptuar në një drejtësi të frikësuar dhe të shtypur dhe kjo do zgjasë për dhjetë vitet e ardhshme. Dhe prapë kush do cënohet nga kjo veprimtari? Janë njerëzit që kanë probleme me drejtësinë”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit