Kryeministri Edi Rama kërkoi sot që të shpejtohet procesi i pajisjes me pasaportë shqiptare i shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë.
Në takimin vjetor të Këshillit Koordinues të Diasporës, Rama u ndal te çështja e nënshtetësisë, duke iu referuar Gjermanisë e cila nuk lejonte më parë dy nënshtetësinë.
“Dua të tërheq vëmendjen për një ndryshim të rëndësishëm që ka ndodhur në Republikën Federale të Gjermanisë, e cila ka hequr dorë nga detyrimi për të pasur nënshtetësi unike dhe ka hapur rrugën për të pasur dy nënshtetësi, gjë që deri dje i ka detyruar shqiptarët në Gjermani që të heqin dorë nga nënshtetësia shqiptare për të marrë nënshtetësinë gjermane”, u shpreh Rama.
Në kushtet kur ky ndryshim ka ndodhur, Rama theksoi se “ka një numër të konsiderueshëm shqiptarësh që po kërkojnë rimarrjen e nënshtetësisë shqiptare”.
“Për këtë Ministria e Jashtme dhe Ministria e Brendshme duhet të garantojnë një shërbim të shpejtë, që është më e lehtë ta thuash sesa ta bësh. Duke folur për pasaportat shqiptare dhe për nënshtetësinë shqiptare të zyrtarizuar në pasaportë, besoj se ministria e Jashtme do të ‘’lante shumë mëkate” të trashëguara nga koha e asaj hijes që më përndjek mua sa herë futem këtu. Me siguri ka anëtarë të Këshillit Kombëtar të Diasporës që nuk e kanë pasaportën shqiptare”, u shpreh Rama.


