Ministri i Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Thomas de Maiziere tha se forcat e sigurisë vetëm këtë vit kanë parandaluar tre sulme terroriste.
Maiziere, një intervistë për gazetën “Bild am Sonntag” tha se forcat e sigurisë po bëjnë ndërhyrje të hershme për t’i parandaluar rreziqet.
Ai bëri të ditur se që nga viti 2000 e deri më tani janë parandaluar 16 sulme terroriste nëpërmjet ndërhyrjes së forcave të sigurisë. Maiziere thotë se vetëm këtë vit janë parandaluar tre sulme terroriste.
Maiziere thotë se kjo është arritur si rezultat i punës së mirë të forcave të sigurisë dhe të bashkëpunimit me shërbimet e huaja të inteligjencës. Ai shtoi se nëpërmjet masave të marra, Gjermania këtë vit është shndërruar në një vend edhe më të sigurtë.
Sipas tij, numri i refugjatëve të cilët kanë ardhur në Gjermani që nga fillimi i vitit 2017 e deri në fund të nëntorit është rreth 173 mijë. Maiziere tha se pret që ky numër të mbetet nën 200 mijë gjatë gjithë vitit.
Ministri Maiziere vuri në dukje se nevojiten qendra të veçanta për ata të cilët po dëbohen nga kufijtë e Gjermanisë.
“Partitë e Unionit Kristian-Demokratik (CDU/CSU) kërkojnë themelimin e qendrave për marrje të vendimeve dhe rikthim të refugjatëve. Këta persona do të qëndrojnë këtu, derisa të vendoset për kërkesat e tyre për azil. Kur merren përgjigjet pozitive, ata do të shpërndahen në administratat lokale. Ndërsa të tjerët do të qëndrojnë këtu dhe në këtë mënyrë ridërgimi i tyre do të bëhet më lehtë”, tha ministri gjerman./Rtv islam/


