
Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, ka deklaruar se dhimbje të tilla Kosova ka shumë, ku ngjarjet e tilla janë në çdo zonë të Kosovës.
“Kjo ditë është e dhimbshme, me dhimbje të madhe dhe fatkeqësisht kemi shumë të tilla ditë, edhe familjarët e martirëve të Izbicës masakrës më makabër që u bë në Kosovë, ku u vra edhe fëmija ende pa mbush 1 vjeç. Do ta kishim më lehtë, sikur ta kishim vetëm ju këtë dhimbje, por kjo dhimbje është në gjithë atdheun tonë”, tha Haradinaj, duke shtuar se Drenica ka dhënë provimin përfundimtar për atdheun.
“Drenica ka dhënë shumë për këtë vend. Drenica në çdo etapë të jetës së vet e ka dhënë provimin për atdheun” tha Haradinaj.
Ai tha se Kosovë di të bëjë edhe më shumë në zbardhjen e fatit për të pagjeturit, ku sipas tij kjo çështje ka ngecur mjaft shumë deri më tani.
“Një ngecje e ngadalshme e zbardhjes së fatit të pagjeturve dhe mos vendosja para drejtësisë të këtyre krimeve, në Dukagjin janë mbi 10 të tilla. Çdo perspektivë e drejtave për Kosovë e viktima nuk është zhvendos, është një neglizhencë e faktorëve relevant për të vendosur ketë të drejtë po na kërkohet edhe njëherë ta vërtetojmë padrejtësisht pafajësinë tonë, por nuk po shikojnë viktimat tona”, tha ai.
“E kemi një dakordim që të avancojmë bazën ligjore dhe statusin ligjor për martiret dhe të pagjeturit ta avancojmë në nivel te duhur, edhe avancim prapë nuk e zëvendëson dhimbjen e ndjenjën e gjithëve neve se Kosova kërkon drejtësi”, shtoi Haradinaj.


