
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në deklarimin e pasurisë së tij i ka deklaruar 71 mijë e 720 euro, kursime në institucionet financiare.
Të ardhurat e kryeministrit sipas formularit të deklarimit janë nga qiraja e shtëpisë, paga si kryeministër dhe pensioni invalidor.
Mbi 73 mijë euro shumë vjetore ka deklaruar nga qiraja e shtëpisë që ndodhet në lagjen Dragodan në Prishtinë. Mbi 32 mijë euro pagë si kryeministër i vendit, dhe 2.700 nga pensioni invalidor.
Në deklarimin e pasurisë kryeministri Haradinaj ka deklaruar të ardhurat e bashkëshortes së tij Anitës, në vlerën prej 31.920 euro nga tri punat e saj, përfshi televizionin publik (RTK), ELSIG dhe Agjencioni i marketingut “Vibe”.
Ndërsa si pasuri të paluajtshme Haradinaj ka deklaruar shtëpinë e lëshuar me qera në vlerën 300 mijë euro, shtëpinë familjare në Gllogjan 270 mijë euro, tokë kodrinore 75 mijë euro, truall 27 mijë euro, sghtëpi banimi 202 mijë euro dhe apartament të cilin deklaron se e ka blerë në vitin 2017 në shumën prej 70 mijë eurove.


