KLP takim me delegacionin amerikan: Rikthejmë besimin e qytetarëve

Mos i humb

Këshilli i Lartë i Prokurorisë mirëpriti një delegacion me personalitete të njohura të drejtësisë amerikane për të shkëmbyer eksperienca dhe diskutuar mbi mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, në forcimin e sistemit prokurorial dhe avancimin e reformës në drejtësi.

Të pranishëm në delegacion ishin i Ngarkuari me Punë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, David Wisner, e nderuara Trina Higgins, Prokurore e SHBA-së për Distriktin e Utah, Kryegjyqtari Robert Shelby, nga Gjykata e Qarkut të Utah, Paige Petersen gjyqtare e Gjykatës së Lartë të Utah si dhe përfaqësues të Misionit OPDAT në Shqipëri.

Përfaqësuesit e drejtësisë amerikane theksuan rëndësinë e procedurave transparente dhe të bazuara në merita në emërimin e prokurorëve të rinj, për të siguruar një sistem prokurorial kompetent dhe efektiv ku kushtet për t’u emëruar dhe ushtruar veprimtarinë si prokuror të lidhen me integritetin e lartë të figurës dhe të aftësive profesionale.

Ata gjithashtu siguruan mbështetjen e SHBA-ve përgjatë të gjithë aktivitetit të Këshillit duke synuar promovimin e llogaridhënies dhe parandalimin e korrupsionit brenda sistemit, për të garantuar që sistemi prokurorial të funksionojë me standardet më të larta të drejtësisë, pavarësisë dhe integritetit, duke nxitur besimin e publikut në këtë sistem.

Delegacioni ripohoi angazhimin për t’i ofruar ekspertizë të vazhdueshme Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke përforcuar objektivin e përbashkët për arritjen e një reforme thelbësore dhe të qëndrueshme në drejtësi në Shqipëri.

Nga ana e tij, Këshilli siguroi se do të angazhohet maksimalisht për të ofruar rezultatet e pritura në të gjitha vendimmarrjet e tij duke tejkaluar sfidat, veçanërisht në procesin e vlerësimit të prokurorëve, me qëllim arritjen e funksionalitetit të veprimtarisë së sistemit prokurorial në kushtet e zbrazjes për shkak të procesit të rivlerësimit kalimtar.

Sjellja e modeleve të drejtësisë amerikane në realitetin shqiptar reflekton një dimension cilësor të reformës në drejtësi, duke e bërë atë më të prekshme dhe reale.

Këto modele shërbejnë si bazë e mirë vlerash etike, profesionale, modele integriteti për magjistratët e rinj dhe për magjistratët tashmë në sistem, ndaj Këshilli theksoi nevojën për takime, forume apo trajnime në një shtrirje më të gjatë kohore me ta, në një të ardhme të afërt.

Takimi shënon një hap të rëndësishëm në vijimin e bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke reflektuar një përkushtim të ndërsjelltë për rikthimin e besimit të qytetarëve shqiptarë në institucionet e drejtësisë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit