Ministri i Brendshëm, Taulant Balla tha sot se vijon puna për goditjen e trafikut dhe shitjes së lëndës narkotike.
Në një postim në rrjetet sociale, ministri Balla ka vlerësuar punën e zhvilluar nga Policia e Durrësit, që mëngjesin e sotëm goditi një rast të trafikut të kokainës, duke sekuestruar 7 kilogram e 300 gramë kokainë të fshehur në një furgon mallrash, i cili po kalonte pikën Kufitare të Portit të Durrësit, me destinacion Anglinë.
Balla, duke postuar pamje nga operacioni, përgëzon forcat e rendit për punën e zhvilluar.
“Policia e Shtetit vijon goditjen e trafikut dhe shitjes së lëndëve narkotike. Përgëzime Drejtorisë së Kufirit, Drejtorisë Vendore Durrës dhe Departamentit të Policisë Kriminale për përmbylljen me sukses të operacionit “Pakot” që çoi në kapjen e lëndës narkotike dhe të personave të përfshirë në këtë veprimtari kriminale”, shkruan Balla.
Policia Kufitare e Durrësit njoftoi sot se ka goditur një rast të trafikut të Kokainës. Sipas njoftimit të Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në pikën e kalimit kufitarë në Portin e Durrësit, në një furgon mallrash të me targa angleze, u gjetën të fshehura 7 pako kokainë.
Policia e Durrësit ka sekuestruar lëndën narkotike, ndërsa ka arrestuar dhe dy persona.