Komisioni për Çështjet Europiane miratoi dy projektligje të rëndësishme

Mos i humb

Në drejtimin e kryetares, Jorida Tabaku, Komisioni për Çështjet Europiane shqyrtoi projektligjin “Për vlerësimin strategjik mjedisor”.

Të ftuar për këtë projektligj ishte zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Almira Xhambulla dhe stafi shoqërues.

Në prezantim të këtij projektligji zëvendësministrja u shpreh se, qëllimi i ndryshimit të ligjit është që të sigurojë realizimin efektiv të funksioneve publike administrative në shërbim të institucioneve apo grupeve të interesit dhe publikut, si dhe mbrojtjen e të drejtave dhe të interesave të ligjshëm të tyre.

Relatorja e çështjes, Pranvera Resulaj tha se, ky projektligj nuk ka për qëllim përafrimin e legjislacionit me Acquis Communautaire.

“Ndryshimi i propozuar lidhet vetëm me unifikimin e terminologjisë dhe harmonizimin e legjislacionit të brendshëm bazuar në ndryshimet që ka pësuar dhe nuk prek në thelb direktivat.”, theksoi Resulaj.

Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Po ashtu, komisioni shqyrtoi edhe projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr.9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit”, të ndryshuar””, nismë e deputetit, Klevis Xhoxhi.

Xhoxhi, i ftuar për prezantimin e këtij projektligji, tha se, ky projektligji ka në vetvete disa ndryshime të cilat i janë dërguar për miratim Këshillit të Ministrave.

Relatorja Etilda Gjonaj në fjalën e saj u ndal tek tre çështje që lidhen me direktivat, të cilat u diskutuan dhe komentuan bashkë me anëtarët e tjerë të komisionit.

Pas pyetjeve, sugjerimeve dhe komenteve, me ndryshimet e dakordësuara gjatë diskutimit në komision, anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj në parim, nen për nen dhe në tërësi.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit