Shkruan: Avdullah Klinaku
Historia ka regjistruar politikanë që marrëveshjet e pa favorshme për vendin e tyre kanë arritur ti kthejnë në pika të forta strategjike për zhvillimin e vendit të tyre. Ndërsa politika jonë, marrëveshjet politike ( Rambuje, Viena), opinionet juridike (Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë) dhe vendimet e brendshme politiko-juridike (shpallja e pavarësisë), ka filluar ti kthej përmbys. Nga një mundësi aktivizimi, përfitimi e zhvillimi janë kthyer në pasivitet, ngecje dhe mungesë vizioni. Negociatat e pa definuara, të pa organizuara dhe të pa bazuara në dije dhe parime janë duke na sjell para kompromiseve që as vet nuk e dimë se cilat do të jenë.
Ndarja e Kosovës
Opinioni është duke u përgatitur përmes diskursit publik me idenë e ndarjes së Kosovës. Nuk dihet as çfarë pjesë kap ndarja, por paragjykohet se kemi të bëjmë me ndarjen e Kosovës, për lumin Ibër. Ky diskurs publik për ndarjen e Kosovës, për gjykim timin, ka qëllim të futjes së frikës te populli se ndarja është problem shumë i madh. Ndarja sjell luftë. Do të proklamohet se për ndarje ka qarqe amerikane dhe evropiane që e mbështesin. E gjithë kjo do të jetë njëfarë skene teatrale si përgatitje për kompromisin real që pritet të ndodh. E ai është autonomia e asociacionit. Ky është qëllimi i Serbisë dhe ky është rreziku real i Kosovës.
Ndarja nuk është opsion as në Beograd, as në Uashington e as në Bruksel. Sepse ndarja nënkupton lëvizje të kufijve, e lëvizjet e kufijve më së shumti neve shqiptarëve na konvenojnë. Sigurisht nëse dimë të vejmë kushte. Ndarja për shqiptarët është e favorshme në rastin kur; shkëmbehet territori i komunës së Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit, me atë të Medvegjës, Preshevës dhe Bujanovcit, hiqet parimi kushtetues se Kosova nuk mund të bashkohet me një shtet tjetër, lëviz çështja e shqiptarëve në Maqedoni dhe sensibilizohet opinioni për hapjen e çështjes çame. Kjo krijon mundësi që brenda pak vitesh shqiptarët do të jenë të bashkuar në Shqipërinë natyrale. Lëvizja e kufijve është interes nacional i shqiptarëve sepse ne kemi më shumë troje jashtë kufiri se sa brenda kufijve aktual.
Asociacioni, ushtria dhe OKB
Jam shumë i bindur që më së paku këtë kohë do të flitet për Asociacionin e komunave serbe. Diskursi publik do të përqendrohet te ajo që është shqetësim më i madh në vlerësim fillestar siç është ndarja e Kosovës. Në fund të këtij procesi, do të hyj asociacioni si kompromis e politika jonë do të paraqitet si shumë e suksesshme duke arritur ta ndalojë ndarjen e Kosovës.
Ky fund i negociatave mund të përfundojë me marrëveshje pajtimi. Pala shqiptare do ta interpretojë si njohje e pavarësisë së Kosovës. Ndërsa pala serbe si marrëveshje paqeje me specifika të veçanta. Kjo marrëveshje ka mundësi të na sigurojë edhe ulëse në OKB. Por, kjo marrëveshje në të njëjtën kohë ka mundësi ta de-funksionalizojë dhe ta de-normalizojë shtetin e Kosovës. Shteti jo normal dhe jo funksional i Kosovës do të ndodh me faktin e formimit të asociacionit të komunave serbe. Kosova, me këtë marrëveshje do të arrij një pavarësim nga Serbia, por do të krijojë varësi ndaj asociacionit.
Asociacioni, do të ketë synim të ketë kompetenca autonome, të dizajnuar mbi baza etnike dhe mbi lidhje territoriale. Ky asociacion do të jetë edhe më i keq si ai i marrëveshjes paraprake të Brukselit. Marrëveshja e paqes midis Kosovës dhe Serbisë, ka rrezik të krijojë asociacion autonom me organe të veta, përfshi polici dhe diçka më shumë se polici e më pak se ushtri.
Si rezultat i kësaj marrëveshje, Kosova do ta ketë ushtrinë e saj, pasi që serbët të nxjerrin një forcë mbrojtëse të veçantë për asociacionin e tyre. Braktisja e FSK-së nga nja grup serbësh që deri më tani kanë qenë pjesë e saj është përgatitje për këtë forcë të mundshme.
Kjo marrëveshje paqeje, mund të jetë marrëveshja më e mirë për tu mos u marr vesh kurrë me Serbi. Kjo marrëveshje paqeje, mund të sigurojë çdo gjë përveç paqes. Kjo marrëveshje, një shtet në përpjekje për tu bërë shtet do ta shndërroj në një maket shtet binjak.
Kosova ka rrezik të lajthit pranë teorisë së Francis Fukuyama, se jemi duke ndërtuar shtete jo funksionale si rezultat i dështimeve ashtu siç është BiH, Kosova, Timori Lindor etj.
Është koha më shumë se kurrë të shohim zgjidhje nacionale e jo vetëm pragmatike./Kosova Post/


