Koreja e Jugut hap zjarr ndaj peshkatarëve kinezë

Mos i humb

Ekipet e sigurisë bregdetare të Koresë së Jugut në bregun perëndimor të vendit kanë hapur zjarr ndaj peshkatarëve kinezë me arsyetimin se po peshkonin në mënyrë të jashtëligjshme.

Në lajmin e agjencisë Yonhap bëhet e ditur se ekipet fillimisht paralajmëruan me fjalë varkën e 44 peshkatarëve kinezë për shkelje të “zonës ekskluzive ekonomike” të vendit.

Megjithatë, ekipet kanë qëlluar kur disa varka janë nisur drejt anijes patrulluese të Koresë së Jugut. Më pas, kur edhe përkundër zjarrit paralajmërues varkat kineze nuk janë larguar nga zona, sigurimi bregdetar ka mobilizuar katër varka patrulluese dhe ekipet kanë qëlluar afro 200 herë.

Zyrtarët pohuan se varkat kineze u larguan nga zona pesë orë pas të shtënave të para paralajmëruese.

Ende nuk dihet nëse varkat kineze kanë pësuar humbje materiale apo në jetë, ndërkohë që njoftohet se sigurimi bregdetar i Koresë së Jugut nuk ka pësuar dëme.

Reagim nga Kina

Në konferencën e jashtëzakonshme për media, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Hua Çunying, bëri të ditur se ndien shqetësime serioze për incidentin.

Hua, e cila u bëri thirrje peshkatarëve të mos marrin rrugë të cilat do t’ua rrezikonin jetën, e ftoi qeverinë e Seulit që përkitazi me këtë çështje të veprojë në pajtueshmëri me ligjin dhe të mbrojë të drejtat ligjore të peshkatarëve.

Ndryshe, tensionet mes dy shteteve për shkak të shkeljeve të peshkatarëve janë të shpeshta.

Në fund të muajit shtator, nga hedhja e një shok bombe në një varkë të peshkatarëve kinezë në ujërat territorialë të Koresë Jugore humbën jetën tre peshkatarë.

Një varkë e sigurimit bregdetar të Koresë së Jugut në tetor u përmbyt pasi u përpoq të zë një varkë të Kinës e cila po peshkonte në mënyrë të jashtëligjshme. Pas kësaj, qeverisja e Seulit ka ashpërsuar masat ndaj peshkimit të jashtëligjshëm.

Problemi i kufirit detar në mes dy vendeve ishte temë diskutimi në korrik të vitit 2014, gjatë takimit të Presidentit të Kinës, Xi Jinping, me presidenten e Koresë së Jugut, Park Geun-hye, gjatë vizitës në Korenë e Jugut.

Më pas, në dhjetor të vitit 2015, palët u takuan për herë të parë në lidhje me këtë çështje në Seul.

Derisa vijonin bisedimet mes Kinës dhe Koresë së Jugut për kufijtë detarë të Detit të Verdhë, gjendja mes dy vendeve u tensionua pasi një nëpunës i sigurimit bregdetar të Koresë së Jugut në vitin 2011 theri me thikë një peshkatar kinez dhe në vitin 2014 ekipet e sigurimit bregdetar vranë me armë zjarri një peshkatar tjetër kinez./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit