Kosova e pafuqishme ndaj fletarresteve nga Serbia, nuk ka pastrim të listave pa anëtarësim në INTERPOL

Mos i humb

Daut Haradinaj, ish-pjesëtar i UÇK-së, njëherit edhe deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës u ndalua dje nga policia austriake në Vjenë.

Ndalimi i tij, në atë që ai e quajti ‘konsultë’ me policinë në aeroport, lidhet me listat e INTERPOL-it të Serbisë.

Nga Organizata e Veteranëve të Luftës thonë se kjo dukuri paraqet skandal për Qeverinë e Kosovës.

Nasim Haradinaj, nënkryetar i OVL-së, për lajmi.net thotë se pastrimi i listave të INTERPOL-it duhet të jetë kusht i Kosovës për procesin e dialogut.

“Jo taksa, por kjo është ishte dashtë me qenë çështja e parë që Serbia mos me mujt me pasë qasje tek djemtë që e kanë pru lirinë për këtë shtet. Të vendos një shtet tjetër, dhe të përndiqen luftëtarët e lirisë është turp për Qeverinë e Kosovës”, thotë ai.

Haradinaj thotë po ashtu se Organizata ku bën pjesë ai nuk ka listë zyrtare të ish-pjesëtarëve të UÇK-së që janë në listë të INTERPOL-it nga Serbia, për arsyen se siç thotë ai nga Beogradi po ndalohen edhe njerëz që nuk janë fare në atë listë.

Po ndalohen edhe njerëz që nuk janë fare në atë listë. Është një sulm direkt në shtetësinë e Kosovës”, ka thënë ai.

Por, çfarë të mirë po bën Serbia me këto veprime, sipas Haradinaj?

“Dhe e vetmja e mirë që po e bën Serbia me këtë është që këtyre shqiptarëve që u ka mbetur zhig Serbia, po u tregon që është ende e njëjta”, shprehet nënkryetari i OVL-së.

E gjasat janë të pakta se këto lista mund të pastrohen. Një gjë e tillë sipas zyrtarëve të ministrisë së Punëve të Brendshme, s’mund të ndodhë pa anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.

Zëvendësministri, Isa Xhemajlaj për lajmi.net thotë se lista me të kërkuarit nga INTERPOL-i është konfidenciale dhe e njëjta nuk mund të publikohet.

Sipas tij, nëse ndodh publikimi i së njëjtës, mund të ketë ndikim negative për vetë organizatën.

“Është konfidencial edhe dokumenti edhe lista. Publikimi i kësaj liste ndikon negativisht në organizatën e INTERPOL-it. Një listë definitive nuk mundet me e pasë as Policia e Kosovës, për shkak se nuk është anëtarë e INTERPOL-it”, thotë ai.

Në një situatë të tillë, ministria e Punëve të Brendshme nuk mund të veprojë as për pastrimin e kësaj liste.

Xhemajlaj thotë se Kosova nuk ka as qasje direkte as indirekte.

“Pasi që nuk jemi në organizatën e tyre nuk mund të bëjmë kërkesa për pastrim të listave. Nuk ki qasje as direkte e as indirekte. Me qenë edhe me ditë ne i paralajmërojmë ata që të kenë kujdes gjatë udhëtimit në Serbi dhe në vendet tjera”, ka thënë ai.

Tutje, zëvendësministri Xhemajlaj thekson se e vetmja mundësi e Kosovës është që të kenë konsulta paraprake me shtetet mike, dhe të veprojnë para arrestimeve të mundshme në këto shtete.

Kujtojmë, se Kosova vitin e kaluar dështoi të bëhet pjesë e Organizatës Botërore të Policisë(INTERPOL-it), pasi që nuk mori votat e mjaftueshme për një gjë të tillë.

Sidoqoftë, këtë vit pritet që Kosova të aplikojë përsëri për t’u bërë pjesë e INTERPOL-it.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit