Kosovë, ATK gjatë vitit ka arkëtuar mbi 500 milionë euro

Mos i humb

Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Sakip Imeri në një konferencë për media, prezantoi të arriturat e ATK-së për periudhën janar-nëntor 2017.

Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Sakip Imeri në këtë konferencë prezantoi vlerësimet e raporteve ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), UNDP, për shërbimet ndaj tatimpaguesve, luftimin me ekonominë joformale që lidhet me një raport të Komisionit Europian, ligjin për faljen e borxheve publike, procesin e rimbursimit të tatimeve, fiskalizimin e bizneseve, lojërat e fatit, masat disiplinore ndaj stafit të ATK-së etj.

Ai theksoi se ATK arriti të mbledh 91 për qind të tatimit të planifikuar nga janari deri në nëntor të këtij viti. Duke theksuar se ka rritje në të hyrat e ATK-së, Imeri tha se në raport me vitin e kaluar janë arkëtuar 22.7 milionë euro më shumë ose 6.3 për qind.

Sipas tij, edhe tek pensionet ka rritje prej 2.6 milionë euro që është rezultat edhe i rritjes së punësimit në vend.

“Në vitin 2016 kemi pasur 359.2 milionë euro tatime ndërsa tani kemi 381.9 milionë euro. Ndërsa nga pensionet kemi patur 137.9 milionë në 2016, tani kemi 140.5 milionë euro. Shifra e përgjithshme në raport me vitin e kaluar kur kemi patur 497.1 milionë euro të arkëtuara këtë vit me nëntorin kemi kaluar shifrën prej 500 milionë euro”, tha Imeri.

Duke prezantuar tabelën e të punësuarve, ai tha se kjo tabelë shfaq të dhëna shumë të mira edhe tek të vetëpunësuarit në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2016.

“Kemi rreth 40 mijë të punësuar që janë deklaruar në listat e pagave në faqen e internetit të ATK ose përmes veglës që bëhet deklarimi i tyre. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kemi pasur 304.983 të punësuar, ndërsa këtë vit në regjistrat kemi 341.689 të punësuar. Pra, ky është rezultat edhe i vetë tatimpaguesve, deklarimi i të punësuarve, rritja e punësimit dhe si rezultat i rritjes ekonomike”, tha Imeri.

Drejtori i ATK-së duke folur edhe për perceptimin e korrupsionit tek qytetarët në raportin e UNDP-së tha se ATK-ja është institucioni që prinë me uljen më të dukshme nga 32.5 në 17.4 për qind.

Sipas tij, dixhitalizimi i shërbimeve është zgjeruar dhe se libri i blerjes dhe i shitjes së bashku me deklaratën e TVSH-së ngarkohet në mënyrë elektronike.

Ai po ashtu shtoi se edhe kërkesat për rimbursim bëhen në mënyrë elektronike duke theksuar se vërtetimet tatimore ofrohen edhe për biznese përvec personave fizik.

Imeri po ashtu bëri të ditur se ATK-ja ka bërë një punë të mirë me Doganat e Kosovës në luftimin e ekonomisë joformale ku sipas tij ekziston një rënie prej 1 për qind, gjegjësisht nga 32.7 për qind në 31.7 për qind. /Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit