
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka prezantuar raportin hulumtues “Përmbledhje e qasjes së Kosovës në deradikalizimin dhe ri-integrimin e qytetarëve të kthyer nga zonat e luftës në Siri dhe Irak”.
Ky hulumtim është zhvilluar në kuadër të projektit: “Analizimi i procesit të riintegrimit për luftëtarët e huaj të kthyer në komunitet” i përkrahur nga Instituti Ndërkombëtar Republikan (IRI). Raporti ka analizuar procesin e riintegrimit të qytetarëve të kthyer në Kosovë nga konflikti i Sirisë dhe Irakut duke përmbledhur sfidat e identifikuara në këtë proces.
Hulumtuesja e QKSS-së, Teuta Avdimetaj, tha se Kosova ka qenë shembull i mirë në aspektin e rehabilitimit të të kthyerve nga zonat e luftës në Siri dhe Irak. Ajo tha se nga viti 2013 deri vonë kanë marrë pjesë rreth 400 qytetarë të Kosovës në këto zona, duke përfshirë dhe gra e fëmijë.

“Edhe pse ky konflikt mblodhi qytetarë nga më shumë se 100 vende të botës jo të gjitha këto vende kanë qenë të gatshëm për të bërë riatdhesimin e qytetarëve të tyre. Në këtë aspekt Kosova ka qenë një ndër vendet e para që ka dhënë një shembull të tillë. Pas ballafaqimit me drejtësi, përpjekjet për riintegrimin e personave të rikthyer nga zonat e konfliktit shihet si një ndër mënyrat më të qëndrueshme për të ulur rrezikun nga radikalizmi në aspektin afatgjatë”, tha ajo.
Hulumtuesi i QKSS-së, Skender Perteshi, tha se rikthimi i 110 kosovarëve nga Siria në prill të vitit të kaluar nga të cilët katër kanë qenë luftëtarë dhe ka pasur gra e fëmijë, ka bërë një sfidë për institucionet e vendit. Perteshi tha se me të dalë nga burgu, nuk ka pasur masa përcjellëse për pjesëmarrësit në luftërat e këtyre zonave.
“Nuk ka pasur masa përcjellëse ose aktivitete përcjellëse për të, në momentin që ai del jashtë sistemit korrektues. Madje ka pasur raste kur Ministria e Brendshme është njoftuar nëpërmjet mediave për qytetarë të caktuar që janë liruar nga burgu nga ana e Ministrisë së Drejtësisë. Kështu që, në momentin që pjesëmarrësit e luftërave të huaja kanë dalë në komunitet, nuk ka pasur ndonjë program ose masa konkrete se si të trajtohen ata më ndryshe. Kur themi të trajtohet më ndryshe nuk themi që menjëherë t’i ofrojmë punësim, mirëpo të paktën të kuptohet se si komuniteti po i pret këta individë, a po pranohen lehtë, a po u mundësohet rikthimi i tyre në komunitetin që i takojnë”, tha ai.

Perteshi theksoi se për këtë kategori në Kosovë ende ka nevojë për trajnime specifike, sidomos në Shërbimin Korrektues, ku duhet të ndahet pjesa e trajnimit për personat që do të rehabilitohen dhe ata që do të riintegrohen në shoqëri.
Aktivitetet e këtij projekti nga QKSS janë implementuar në komunën e Gjilanit, Kaçanikut, Prizrenit, Prishtinës dhe Mitrovicës, të cilat kanë qenë gjithashtu fokus i raportit hulumtues.
Ky projekt hulumtimi është gjithashtu njëri ndër aktivitetet e parapara në planin e veprimit të strategjisë nacionale për parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm.


