Kosovë, fillon “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”

Mos i humb

Me moton “Drejtësia rikthen dinjitetin e viktimave” ka filluar në Prishtinë konferenca ndërkombëtare “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”.

Konferenca e cila do të mbahet dy ditë me radhë dhe shënon këtë vit 10 vjetorin e saj që nga fillimi, u hap nga Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, ndërsa morën pjesë edhe ambasadorë të huaj si dhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë.

Duke folur për viktimat e krimit, kryeprokurori Lumezi tha se kjo kategori është e mbrojtur me Kushtetutë dhe ligje të Republikës së Kosovës.

Ai tha se angazhimi i tij do të jetë që “viktimat e krimit të trajtohen drejtë gjatë gjithë procedurave, ndërsa kryesisht të marrin dënimet meritore”.

“Ndër vite i kemi dhënë prioritet mbrojtjes së viktimave por edhe ndëshkimit të krimit. Dhe jemi angazhuar që autorët e krimit të marrin dënimet e merituara në përputhje me ligjin, me çka kemi shprehur gjykimin shoqëror për kryerësit e veprave penale të dhunës në familje, dhunës seksuale dhe trafikimit me qenie njerëzore. Në anën tjetër, kemi forcuar moralin dhe detyrimin për respektimin e ligjit duke kërkuar shqiptimin e sanksioneve penale dhe masave mbrojtëse ndaj autorëve të këtyre veprave penale”, tha Lumezi.

Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, tha se janë të obliguar që të sigurojnë drejtësi për çdo qytetar, ndërsa nga viti i kaluar tha se është angazhuar “intensivisht në unifikimin e politikës ndëshkimore”.

“Sot në shënimin e javës për të drejtat e viktimave të krimit si gjyqtar dhe si prokuror kemi ligjin para vetes dhe jemi të obliguar të garantojmë drejtësi për secilin qytetar. Por dokumentet përcjellëse që lehtësojnë zbatimin e drejtë të ligjit, siç është edhe udhëzuesi për politikë ndëshkimore. Nuk duhet të anashkalohet as nga gjyqtarët me përvojë pasi që i njëjti është një dokument që përmbledh dispozitat e kodit Penal të Kosovës lidhur me matjen e dënimit dhe unifikon rrethanat lehtësuese dhe rënduese dhe në këtë mënyrë lehtëson të vendosurit me drejtësi”, tha Peci.

Menaxheri i Zyrës për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave (ZMNV), Basri Kastrati, theksoi se angazhimi i organeve të drejtësisë për mbrojtjen e këtyre viktimave do të vazhdojë gjatë 365 ditëve dhe jo vetëm gjatë kësaj jave.

Kastrati tha se “Kosova nga viti në vit ka një progres të shtuar në angazhimin e mbajtjes së viktimave të luftës”.

Nga tetori i vitit 2018 deri në shtator të këtij viti, nga statistikat e menaxhuara nga Linja Ndihmëse e ZMNV-së vetëm dhunë familjare janë regjistruar 662 raste në Kosovë, kurse në total në këtë periudhë kohore janë shënuar 831 raste me kategori të ndryshme të dhunës.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit