Kosovë, publikohet raporti për mbështetjen mbi luftën kundër krimit dhe korrupsionit

Mos i humb

Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë ka prezantuar në Prishtinë raportin përfundimtar “Mbështetja e mëtejshme e institucioneve të Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe ekstremizmit të dhunshëm”.

Qëllimi i këtij projekti ka qenë ofrimi i mbështetjes institucionale për autoritetet e Kosovës në mënyrë që të përmirësohet paraqitja dhe aftësitë në fusha të rëndësishme të luftimit të krimit të organizuar, korrupsionit (përfshirë pastrimin e parave) dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Grupet e synuara të këtij projekti kanë përfshirë Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Punëve të Brendshme, prokurorët, gjyqtarët, Policinë e Kosovës, hetuesit financiarë, Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara dhe institucione e organizata të tjera përkatëse.

Prokurori i EULEX-it, Cezary Michalczuk, tha se ky projekt ka zgjatur tre vjet dhe se buxheti i shpenzuar për këtë projekt ka qenë 2.3 milionë euro nga të cilat kanë përfituar më shumë se tetë institucione.

“Projekti ka asistuar për gjyqtarët dhe prokurorët kosovarë në mënyrë që të kuptojnë më mirë çështjen e konfiskimit të pasurisë. Organizimet dhe numri i punëtorive dhe sesionet e trajnimeve janë zhvilluar në disa vende të Kosovës, në Prishtinë, në Prizren e lokacione tjera”, tha Michalczuk.

Kryeprokurori i Shtetit i Kosovës, Aleksandër Lumezi, tha se çelësi i suksesit në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe terrorizmit është konfiskimi i pasurisë së përfituar në mënyrë të kundërligjshme.

Lumezi tha se vetëm në këtë mënyrë pas konfiskimit të kësaj pasurie, pushteti ekonomik hiqet nga duart e grupeve kriminale.

“Në të ardhmen, të ketë edhe trajnime më intensive, në drejtim të konfiskimit, me theks të posaçëm në hetimet financiare, në identifikimin e aseteve të përfituara nga vepra penale dhe në konfiskimin përfundimtar të tyre, sepse, është e vërtetë që deri më tani, nuk kemi pasur rezultate të prekshme në sferën e sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurisë”, tha Lumezi.

Ish-drejtori i projektit, Andrea D’Angelo, deklaroi se konfiskimi është rruga e vetme për luftimin e krimit dhe korrupsionit.

“Kosova është tani më ndryshe dhe në sytë e mi si një i angazhuar në këtë projekt, ky është një zhvillim impresiv. Diskutimet në këtë fushë në pesë vitet e fundit kanë evoluuar nga kuptueshmëria bazike e çështjes në një nivel të standardit evropian”, tha D’Angelo.

Ky projekt i BE-së ka bërë që të hartohen disa ligje të reja në Kosovë, duke trajnuar qindra profesionistë e joprofesionistë të fushave përgjithësisht të drejtësisë dhe sigurisë.

Nga rekomandimet e dala nga ky raport, thuhet se institucionet kosovare duhet të monitorojnë vazhdueshëm aktivitetet online në mënyrë që të prodhohet një mjet “vlerësimi i rrezikut aktiv”, që të mund të shërbejë si barometër për publikimet aktuale radikalizuese.

Gjithashtu e nevojshme është parë edhe një Zyrë e Rikthimit të Pasurive, gjë që Policia e Kosovës sipas raportit, preferon që kjo përgjegjësi të merret nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit