Kosovë, tryezë diskutimi për sfidat e sistemit pensional

Mos i humb

 

 

Organizata joqeveritare Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) organizoi tryezën e diskutimit me temë “Sistemi pensional në Kosovë-Sfidat dhe mundësitë”, ku u diskutua gjendja e sistemit pensional dhe përpjekjet për përmirësimin e kushteve të pensionistëve në Kosovë.

Selatin Kllokoqi nga INDEP, i cili prezantoi analizën rreth sistemit pensional nga kjo organizatë tha se ky sistem ka nevojë për një reformë të gjerë. Ai bëri të ditur se vitin e kaluar janë shpenzuar nga buxheti 338 milion euro për pensione, ndërsa janë futur edhe tri skema të reja. Ai tha se atyre që kanë punuar në shëndetësi, sport apo që janë përjashtuar nga puna në vitet e 90-ta nuk u njihet përvoja e punës, ndërsa atyre të arsimit u njihet dhe kjo krijon mosbalancim të pensioneve nga shteti.

Kllokoqi theksoi se po ashtu duhet edhe një përshkallëzim dhe balancë për invalidët e luftës dhe për personat që jetojnë jashtë Kosovës. Sa i përket sistemit të trustit të kontributdhënësve ai tha se ata që kontribuojnë nga pagat e tyre në moshën 65 vjeçare mund t’i marrin ato kontribute. Sipas tij kontributet harxhohen deri në 100 muaj, pra në moshën 73 vjeçare, sepse pagat janë të vogla dhe duhet të kthehen tek pensioni bazë, por deri më tani kjo sipas tij nuk ka funksionuar.

Kryetar i Federatës së Sindikatave të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës së Kosovës, Sylejman Metaj, tha se si federatë kanë bërë përpjekje për të aprovuar një ligj i cili do t`i kënaqte kërkesat e pensionistëve, por nuk kanë patur sukses.

“Ligji i skemave pensionale për Federatën Sindikale të Pensionistëve dhe Invalidëve të punës është një ligj diskriminues sepse në këtë ligj nuk merren parasysh shumë gjëra dhe mbetet si një trup i pagjymtyrë. Nuk merret parasysh stazhi i punës, nuk merret kualifikimi edhe pse thuhet që merret kualifikimi që në të vërtet nuk merret parasysh si duhet”, tha Metaj.

Ndërsa, zëvendësministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale e Kosovës tha se rreth 200 mijë persona janë përfitues të skemës pensionale duke shtuar se janë në përgatitje të një ligji që do t’i harmonizonte të gjitha ligjet që janë të ndara aktualisht dhe që paraqesin pengesa në zbatim.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit