Edhe pse rreth 10 mijë vetura zyrtare kanë institucionet e vendit, rreth 22 institucione të Kosovës, qendrore dhe lokale janë përfshirë në procesin e marrjes me qira të automjeteve, ndër to së fundmi edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) me dhjetë vetura të tipit “Reno-megana”.
Zyrtarë të KQZ-së përveç se kanë pranuar se janë qira-marrës të automjeteve, nuk kanë treguar për shumën, shfrytëzimin, operatorin dhe shumën e mjeteve.
“Ne jemi të përfshirë në procesin e marrjes me qira përmes Autoritetit Qendror të Prokurimit. Çështjet që kanë të bëjnë me marrëveshjen, kohën e zbatimit, operatorin, shumën e mjeteve, etj., janë në kompetencë të AQP-së”, ka thënë kryeshefi ekzekutiv i Komsionit Qendror të Zgjedhjeve Enis Halimi për KosovaPress me një shkresë elektronike.
Ndërsa, zyrtarë të Ministrisë së Administratës Publike, kanë thënë për KosovaPress, se edhe KQZ kohën e fundit ka marrë vetura me qira për kryerjen e punëve me këtë veprim.
“Jo vetëm Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, por edhe institucionet tjera, kohëve të fundit po marrin vetura me qira për kryerjen e punëve për shkak se me këtë veprim po e kursejnë buxhetin e shtetit. Për veturat e tilla institucionet nuk kanë kurrfarë obligimi për amortizim dhe mirëmbajtje të tyre”, ka thënë Zeqir Bekolli, udhëheqës i Departamentit për Komunikim Publik në MAP.
Përfituesi i këtij tenderi rreth 7 milionë euro ka treguar se kontrata e cila është nënshkruar me Qeverinë e Kosovës, konkretisht me Autoritetin Qendror të Kosovës është nënshkruar në tetor të vitit të kaluar, ndërsa ka filluar të implementohet në fund të muajit janar të vitit 2018.
Drejtori i sallonit të automjeteve “Auto mita” Zgjim Mita ka thënë për KosovaPress se kontrata përfshinë gjithsejtë 358 votuara.
“Është një kontratë, kontrata përfshinë 358 automjete, të ndara në dy pjesë 249 janë e tipit ‘megana” dhe 158 “Dacia sandero”, të shpërndara në 22 institucione të ndryshme të Kosovës në nivelin komunal dhe në nivelin qendrorë… Autoriteti Qendror i Prokurimit, i cili ka marrë përsipër me i furnizuar me automjete institucionet përkatëse’, ka thënë Mita.
Sipas tij, vlera e kësaj kontrate e cila është përfshitë në dy llote, është me kohë zgjatje prej 5 vjet e gjysmë në vlerë prej 6.7 milionë euro.
“Janë 347 euro çmimi për një muaj për “reno-meganë” dhe 247 euro për “Dacia sandero”, që përfshihen të gjitha shpenzimet e mirëmbajtjes, sigurimit, regjistrimit, gomave dhe gjithcka cka ka të bëjë me veturën, përveç naftës që kanë me paguar instucionet e Kosovës gjatë 66 muajve”, tha ai.
Ndër institucione të tjera të cilat janë të përfshira në procesin e marrjes me qira të automjeteve janë edhe Komuna e Prishtinës, Komuna e Lipjanit, Dogana e Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës, Ministria e Drejtësisë dhe të tjera.


