Krasniqi: Krerët e UÇK-së në Hagë, testament i gjallë i përpjekjeve për liri e shtet

Mos i humb

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se 12 qershori i vitit 1999 është një nga ato ditët që secili e mban mend se çfarë ka qenë duke bërë.

Në seancën solemne të Kuvendit, në nder të 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, Krasniqi tha se ajo ditë dikë e ka gjetur jashtë vendit, dikë të frikësuar apo të strehuar, por një kategori e zgjedhur e popullit e ka gjetur me pushkë në dorë, duke luftuar për çlirimin e vendit.

Krasniqi tha se këta ushtarë ishin të gatshëm të vdisnin për liri, duke ndjekur shembullin e pishtarit më të ndritshëm në rrugëtimin tonë kombëtar, komandantin legjendar Adem Jashari.

Duke kujtuar sakrificën e liderëve të UÇK-së që gjenden në Hagë, si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, Krasniqi tha se kjo është dëshmi se liria nuk është e garantuar dhe se për të duhet luftuar dhe mbrojtur çdo ditë.

I pari i PDK-së tha se këta burra janë testament i gjallë i përpjekjeve të pandalshme që kërkon liria dhe shteti.

Krasniqi u bëri thirrje atyre që të qëndrojnë të fortë, pasi sipas tij, historia kurrë nuk do të mund të ndryshohet dhe se “Dielli do të lindë përsëri”.

Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për nder të 25-vjetorit të çlirimit, ka thënë se ish presidenti Ibrahim Rugova dhe luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së bashku me aleatët kontribuuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës është për detyrë përulja ndaj të gjithë dëshmorëve dhe heronjve ndër breza.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit