Krivokapiç, kryeministri i qeverisë së re malazeze,Dritan Abazoviç, zv/kryeministër

Mos i humb

Parlamenti i Malit të Zi zgjodhi qeverinë e re të kryesuar nga Zdravko Krivokapiç. Dritan Abazoviç, zv/kryeministër

Zgjedhja e qeverisë së Malit të Zi u mbështet nga 41 deputetë të koalicioneve “Për Ardhmërinë e Malit të Zi”, “E zeza në të Bardhë” dhe “Paqja është kombi ynë”.

Njëzetë e tetë deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve, Social-demokratëve dhe Partisë Boshnjake votuan kundër propozimit për qeverinë, ndërsa një deputet i koalicionit shqiptar abstenoi.

Qeveria e ekspertëve e Malit të Zi, e kryesuar nga Krivokapiç, ka 12 ministri që do të drejtohen nga figura jopartiake, ndërsa kreu i koalicionit “E Zeza në të Bardhë”, Dritan Abazoviç, është zëvendëskryeministër.

Në qeverinë e re, Ministria e Brendshme do të drejtohet nga një avokat dhe aktivist i OJQ-ve nga Podgorica, Sergej Sekuloviç, ndërsa shefi i diplomacisë do të jetë Gjorgje Raduloviç, drejtori aktual i Drejtorisë për Bashkimin Europian në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Profesoresha universitare Olivera Injac do të drejtojë Ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa ekonomisti Millojko Spajiç do të jetë i ngarkuar me departamentin e Financave dhe Mirëqenies Sociale.

Ish deputeti i pavarur dhe kandidati i opozitës në zgjedhjet presidenciale, Mlladen Bojaniç, është emëruar Ministër i Investimeve Kapitale, ndërsa Ministria e Zhvillimit Ekonomik do të drejtohet nga ekonomisti Jakov Milatoviç, i cili më parë ka punuar në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Avokati dhe anëtar i këshillit ligjor të Kishës Ortodokse Serbe, Vladimir Leposaviç, është emëruar Ministër i Drejtësisë, Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut, ndërsa Ministria e Shëndetësisë do të drejtohet nga shefja aktuale e Departamentit të Pulmonologjisë në Qendrën Klinike të Malit të Zi, Jelena Boroviniç-Bojoviç.

Presidentja aktuale e OJQ-së “Ne nuk do ta japim Malin e Zi”, Vesna Bratiç, do të jetë në krye të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Kulturës dhe Sporteve, ndërsa arkitekti Ratko Mitroviç është emëruar Ministër i Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit.

Ministria e Administratës Publike, Shoqërisë Digjitale dhe Medias do të drejtohet nga Tamara Srzentiç, e cila është diplomuar në Universitetin e Kalifornisë.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave do të drejtohet nga Aleksandar Stijoviç, President i Bordit Drejtues të Institutit të Pyjeve të Malit të Zi.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit