Kryemadhi prezanton kandidaten e LSI për Elbasanin: Kemi shumë për të bërë, Rama ndryshoi kodin për të dëmtuar LSI, por ai…

Mos i humb

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për integrim, Monika Kryemadhi ka prezantuar kandidaten e LSI për Elbasanin, Klaudia Krasnika.

Gjatë prezantimit të saj, Kryemadhi ka përshkruar me pak fjalë, Krasnikën dhe tregon arsyet se përse ajo ka zgjedhur të jetë pjesë e skuadrës së LSI.

“Mendoj që ishte gjëja më e bukur që sot ta nisnim ditën me prezantimin e Klaudia Krasnikës, që është kandidatja e LSI për qytetin e Elbasanit. Unë Klaudian e njoh prej shumë vitesh që kur ishte studente e gjermanishtes dhe më pas angazhimi i Klaudias me LSI-në ka qenë i pandalshëm.

Klaudia e nisi si gjimnaziste, si studente e tashmë është nënë e një vajze, Perlës, dhe shumë shpejt pret të bëhet sërish nënë. Dhe kjo është një nga arsyet që gjithë sfida jonë si LSI fokusohet tek familja, sepse në fund të ditës, LSI është një strukturë politike, e cila në thelb dhe në qendër të saj ka rininë dhe familjen.
Për ne familja është e shenjtë dhe një vlerë e cila është e domosdoshme për një shoqëri në zhvillim e sipër. Angazhimi i Klaudias dhe prezantimi i saj si përfaqësuese e LSI në qytetin e Elbasanit, dhe jo pa qëllim këtu në Elbasan kemi një përfaqësim prej pesë vetash, që janë katër gra dhe vajza, kemi Klaudian, Mozën, Sindi Laloshin dhe Sindi Qafleshin, por kemi edhe Frankon, një student, të cilët jo pa qëllim i kemi pjesë të strukturës sonë përfaqësuese për qytetin e Elbasanit.
Me Klaudian ne kemi diskutuar vazhdimisht. Ajo është një nga përfaqësueset tona në qytetin e Elbasanit, e cila jo vetëm nuk është ndalur në asnjë moment, por ka qenë promotor dhe motor i lëvizjes së strukturave tona.
E dimë që qyteti i Elbasanit ka problematika pa fund, duke filluar që nga çështja e punësimit, e varfërisë, e infrastrukturës, të mungesa e përfshirjes së njerëzve në jetën e përditshme, qoftë kjo shoqërore, ekonomike, pse jo edhe politike.
Ne kemi shumë për të bërë në këtë qytet dhe ajo çfarë është e rëndësishme është krijimi i një klime besimi dhe sigurie të zhvillimit të ekonomisë, të krijimit të hapësirave të punësimit dhe të një pune të mirë paguar.

Elbasani është edhe qytet universitar. Unë kam lëvizur kudo në qytete të Shqipërisë dhe më ka bërë përshtypje elita që ka Elbasani, një elitë intelektuale, e cila është fshehur për shkak të mungesës së infrastrukturës se zhvillimit dhe të përfaqësimit të kësaj elite në jetën politike, shoqërore dhe mbi të gjitha në atë arsimore.

Normalja e Elbasanit që ka qenë e famshme me shekuj është shumë e domosdoshme për ta kthyer, edhe pse sot ajo nuk ekziston më, për shkak të një degradimi që ne i kemi bërë sistemit arsimor, por edhe dëmtimit që ne i kemi bërë vlerave historike, kulturore dhe arsimore në Shqipëri.
Unë Klaudia të jam shumë mirënjohëse jo vetëm për angazhimin tënd, por edhe atë qëndresën tënde stoike, sepse sot është shumë e vështirë përballë presionit dhe intimidimit që qeveria u bën njerëzve, por qëndresa jote dhe e shumë grave dhe vajzave të tjera në qytetin e Elbasanit e rrit akoma më shumë angazhimin tim dhe vëmendjen time për këtë qytet, sepse ne kemi nevojë në Elbasan për të rinj, gra dhe vajza të cilët e duan qytetin e tyre, duan të jetojnë në qytetin e tyre dhe nuk duan të largohen që këtu” u shpreh kryemadhi.

Ndër të tjera Kryemadhi tha se kryeministri Rama, ndryshoi kodin me synim për të dëmtuar LSI-në, por sipas saj, PS do të përplaset për të thyer listën, duke sthuar se qëllimi i tyre është t’i japin fund tranzicionit.

“Ne, kur Edi Rama ndryshoi Kodin, mendoi që do ta dëmtonte LSI-në, por në fakt Kodi që u miratua i ka dhënë disa prioritete jashtëzakonisht të mëdha LSI-së. Renditja në LSI nuk ka të bëjë me numrin që ke në listë, se sa me atë se çfarë secili nga ne përfaqëson.
Dhe një nga avantazhet e tjera ndryshe nga lista e Rilindjes, të cilët do të hanë kokat me njëri-tjetrin, në LSI nuk është çështja tek thyerja e listës, por është çështja tek shërbimi i njerëzve.
Pra, ajo që ne aspirojmë nuk është se sa deputetë dhe sa drejtorë do bëhen, ajo që ne aspirojmë është për të ndryshuar këtë sistem dhe për ti dhënë fund tranzicionit. LSI nuk po lufton për të bërë dy deputetë, apo pesë deputetë, apo edhe 3-4 drejtorë, të cilët abuzojnë me emrin e partisë politike, abuzojnë me votat e qytetarëve, pasurohen për veten e tyre dhe më pas ndryshojnë flamujt politikë.
Për LSI-në është e rëndësishme për të ndryshuar sistemin. Kë quajmë ne ndryshim sistemi? Ne quajmë ndryshim sistemi, ajo që tha Klaudia pak më parë, për të gjitha ato gra që nuk kanë vëmendjen e shtetit, për të gjitha ato gra dhe kryefamiljare, që sot në Elbasan e kanë shumë të vështirë të rrisin fëmijët e tyre, sepse nuk kanë mundësi ekonomike.
Është qyteti me numrin më të lartë të të papunëve në të gjithë Shqipërinë, sepse edhe pse është një kryqëzim rrugësh, ka një mungesë vëmendjeje nga qeveria, kur ndërkohë ne jo më larg se disa ditë, treguam një nga aferat më korruptive që ka të bëjë me inceneratorin e Elbasanit, se si tre njerëz i kanë grabitur në një muaj 4 milion euro qytetit të Elbasanit. Tre njerëz që nuk jetojnë fare në Elbasan dhe që nuk kanë asnjë jetë këtu, asnjë ditë nuk kanë qëndruar këtu. Këto janë paratë e qytetarëve të Elbasanit.
Pra, ne duhet ti themi jo vetëm stop kësaj gjëje, pro duhet të krijojmë më shumë hapësira për punësim. Të ndalohet njëherë e përgjithmonë dhuna politike për njerëzit që janë në administratë dhe nuk ndihen komodë në këtë qeverisje.
Të kërcënosh sot mësuesit, mjekët, infermierët, bizneset, sepse nuk ndan të njëjtën bindje politike me Taulant Ballën apo Edi Ramën? Po punë e madhe fort! Bota nuk rrotullohet rreth atyre”, përfundoi Kryemadhi.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit