Kryeministri Haradinaj: E larguam dialogun e dyerve të mbyllura e të agjendave jo transparente

Mos i humb

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori sot pjesë në debatin “FOL Hapur” për shtetin funksional, organizuar nga Lëvizja Fol.

Kryeministri në detyrë, Haradinaj në fillim të debatit ka folur për vendimin në mbledhjen e parë të kabinetit qeveritar e që ishte zgjidhja e çështjes së krizës energjetike në vend duke treguar gjendjen në të cilën e ka gjetur vendin atëkohë në këtë fushë, duke thënë se janë bë listë e gjatë e veprimeve.

“Është vendosur rregull në sistemin publik, janë bërë ligje të administratës, të shërbyesve civilë, ligji i pagave, ka ligje për gjyqësorin, ligji për Prishtinën, është edhe ligji për qeverinë që duhet të votohet në Parlament”, ka shtuar kryeministri në detyrë, Haradinaj duke thënë se fokusimi tash e tutje i Qeverisë mundet me qenë të sektori privat, mënyra e punës, rritja, zvogëlimi i informalitetit, të marrëdhëniet më të mira në mes të punëdhënësit dhe punëmarrësit.

Në bashkëbisedim me të pranishmit, kryeministri në detyrë, Haradinaj iu përgjigj pyetjeve rreth dialogut dhe cila do të ishte qasja e tij në të ardhmen nëse përsëri do të vinte në krye të qeverisë. Në përgjigjen e tij, kryeministri Haradinaj tha se janë larguar prej një dialogu të dyerve të mbyllura e të agjendave jo transparente, me rreziqe për lëvizje të kufijve dhe e kanë kthyer në një tavolinë serioze të kancelares Merkel dhe presidentit Macron dhe me një involvim shumë më direkt edhe të Washingtonit.

“Sa i përket dialogut në të ardhmen duhet të arrihet një konsensus në Kosovë. Është e vërtetë që më vendim të gjykatës është fokusuar përgjegjësia te kryeministri por është mirë të mos mendohet qe dialogu është çështje e një të mandatuari por është mirë të ruhet një konsensus në Parlament , pra 2/3.”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj duke shprehur qëndrimin e tij se edhe në të ardhmen, nëse ka fatin të jetë përsëri kryeministër, zgjidhja me Serbinë është njohja reciproke në kufijtë ekzistues dhe marrëdhënie të mira ekonomike tregtare që do të nënkuptonte edhe hapjen e tregut me  Serbinë.

Sa i përket liberalizmit të vizave, kryeministri në detyrë, Haradinaj tha se qeveria e udhëhequr nga ai ka pasur një dinamikë të madhe në përmbylljen e kritereve për liberalizim dhe ka treguar procedurat se si ka shkuar deri sot ky proces duke thënë se është opcionale që liberalizmi të mund të ndodh para Krishtlindjeve.

Kryeministri në detyrë Haradinaj ka folur edhe për çështjen e pagave ne sektorin publik në vend duke thënë se kjo fushë ka qenë e parregulluar me ligj dhe se tash kjo situatë është zgjidhur ne qeverisjen e tij, pasi Kosova tashmë ka ligjin për pagat dhe ka bazë ligjore për pagat.

Temë tjetër e debatit ishte edhe çështja e arsimit dhe cilësia në të, për të cilën kryeministri në detyrë Haradinaj tha se as sot nuk janë të kënaqur me cilësinë në arsim në asnjërin nivel e as atë privat dhe se ishte krijuar një bindje se ka të paprekshëm.“ Kjo ishte bërë për me çu  një porosi se nuk do të ketë të paprekshëm, sepse ka pasur dyshime që kanë ndodhur procese mos t’i quaj të jashtëligjshme për akreditim”, tha ai, duke shtuar se është e dhimbshme që gjendja është ende e njëjtë.

Kryeministri në detyrë Haradinaj, ka folur edhe për Termocentralin “Kosova e Re”, për të cilin ka thënë se është investim i huaj, por që pas 20 vitesh ajo infrastrukturë i kalon Kosovës.

Ndërsa, sa i përket energjisë dhe rritjes së çmimit, kryeministri në detyrë Haradinaj, tha se gjatë mandatit të tij qeverisës ka arritur të zgjidhë krizën e energjisë elektrike, duke mos lejuar rritjen e çmimit. “Edhe sot jem duke e menaxhuar çmimin dhe unë kam ndërhyrë që çmimi të mos na vije ai që nuk duhet. KEDS-i nuk është i kënaqur, i ka disa vërejtje, por ja që çmimi ka mbetur ashtu”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj.

Kryeministri në detyrë, Haradinaj, e përmbylli debatin edhe me shumë tema të tjera të cilat janë realizuar në mandatin e tij qeverisës dhe pritshmëritë e tij në të ardhmen.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit