Kryeministri i Republikës së Turqisë, Binali Yildirim, javën e ardhshme do të udhëtojë për vizitë dyditore në Bangladesh, gjatë së cilës do të vizitojë edhe kampet ku strehohen qindra mijëra muslimanë të dëbuar nga Mianmari.
Zyra qeveritare për marrëdhënie me publikun njoftoi se Yildirim në Daka do të udhëtojë me ftesë të shefes së Qeverisë së Bangladeshit, Sheikh Hasine.
Gjatë vizitës më 19 dhe 20 dhjetor, kryeministri i Turqisë do të takohet me zyrtarët më të lartë të Bangladeshit, ku do të bisedojë për temat bilaterale dhe rajonale me theks mbi krizën e refugjatëve të shkaktuar nga dhuna mbi pakicën muslimane në Mianmar.
Pas përfundimit të vizitës në Daka, Yildirim do të vizitojë edhe kampet e refugjatëve në Cox’s Bazar, në juglindje të Bangladeshit.
Muslimanët e Arakanit, Rohingya, prej disa vitesh janë pakica më e rrezikuar etnike në botë, ndërsa nga 25 gushti i këtij viti përballen me valë të re të dhunës në rajonin e Mianmarit, Arakan. Deri tani nga Mianmari në Bangladesh janë larguar së paku 650.000 persona.
Yildirim do të kryejë një lloj inspektimi për nevojat e refugjatëve dhe punën e organizatave humanitare ndërkombëtare, në krye me agjencitë turke, si TIKA, AFAD, si dhe Drejtoria e Diyanetit./Rtv islam/


