KUPTIMI I SURES “ET TIN”

Mos i humb

SUREJA “ET TIN”
(E zbritur në Mekë, ka 8 ajete)

Ajetet 1 – 8

Me emrin e All-llahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
Për fikun dhe ullirin!
Dhe Turi Sinanë!
Dhe për kë­të qytet të sigurisë!
Vërtet, ne e krijuam njeriun në for­mën më të bukur.
Pastaj e zbritëm atë në më të ultin e të ultëve,
Përveç atyre që besuan dhe bënë vepra të mira, ata kanë shpërblim të pandërprerë.
E, pas gjithë kësaj, ç’të shtyri të përgënjeshtrosh Ditën e Shpërblimit?
A nuk është All-llahu më i Urti i gjykuesve?
PËRMBAJTJA E SURES
Sureja flet për të mirat që i ka dhënë All-llahu njeriut, për shpër­blimin e atij që beson dhe për dënimin e atij që mohon.

KUPTIMI I FJALËVE
Turi Sina – Mali, ku All-llahu i Madhërishëm i foli Musait.

Qytet të sigurisë – Meka e Nderuar.

KOMENTIM I PËRGJITHSHËM SURES
Në këtë sure, All-llahu i Madhërishëm betohet për tri vende, ku ka dërguar tre Profetë të nderuar. All-llahu i Madhërishëm betohet në Bejtul Mukades-in, ku dërgoi Isanë (paqja qoftë mbi të). Ai vend njihet për pemët e fikut dhe të ullirit. All-llahu i Madhërishëm betohet edhe në Turi Sina-në, në Malin e Bekuar, ku All-llahu i foli Musait dhe prej ku e nisi Musanë për te Fa­raoni. All-llahu i Madhërishëm betohet në Mekën, vendin, ku All-llahu i Madhërishëm dërgoi Profetin Muhammed (paqja dhe bekimi i All-llahut qofshin mbi të).

All-llahu i Madhërishëm betohet në këto vende të bekuara se e krijoi njeriun në formën më të mirë dhe i dha atij ndjesh­mërinë, mendjen, dëgjimin dhe shikimin, që të jetë me moral të lartë, që ta shohë të mirën dhe ta ndjekë atë dhe ta shohë të keqen e t’i largohet asaj. Por, shumë njerëzve nuk u bëjnë dobi mendja dhe shqisat dhe ata zgjedhin mohimin dhe humbjen. All-llahu i Madhërishëm i fut ata në xhehenem në një formë të shëmtuar. Ndërsa për ata që besuan e bënë vepra të mira, All-llahu i Madhërishëm ka përgatitur në xhenet të mira që nuk mbarojnë kurrë.

Pas kësaj All-llahu i Madhërishëm qorton femohuesit: “Për­se e përgënjeshtrojnë ata Ditën e Kijametit?” All-llahu do t’i gjykojë ata me dënim, ashtu siç e meritojnë, sepse ata kanë mohuar. Nuk ka zot tjetër, përveç All-llahut. All-llahu është më i Urti, më i Drejti.

Ç’NA MËSOJNË AJETET
All-llahu i Madhërishëm betohet në tri vende, ku ka dër­guar Profetët e Tij, se Ai e ka krijuar njeriun në formën më të bukur.
Besimi dhe veprat e mira i bëjnë dobi njeriut si në këtë botë, ashtu edhe në Botën Tjetër.
Mohimi (kufri) e ul njeriun në shkallën më të ulët si në kë­të botë, ashtu edhe në Botën Tjetër.
All-llahu i Madhërishëm është i Drejtë në gjykimin e Tij.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit