Kurti ia thotë troç Lajçak: Dialogu nuk do të jetë prioriteti ynë i parë dhe as i dytë

Mos i humb

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shprehur serish qëndrimin e tij se procesi i dialogut me Serbinë do të mbetet prioritet i katërt gjatë qeverisjes së tij.

Komentet i bëri pas takimit me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili po qëndron për një vizitë treditore në Kosovë.

“Më informoi me procesin e dialogut në përgjithësi. Unë shpjegova edhe një herë që ne i kemi fituar këto zgjedhje me programin tonë që përqendrohet te drejtësia dhe punësimi, se jemi në kushtet e pandemisë COVID-19, dhe se nuk jemi kundër dialogut, por e duam dialogun parimor dhe të përgatitur mirë”, tha Kurti.

Ai ka mohuar të ketë diskutuar për çështjen e hartës së BE-së, e cila e shfaq Kosovën si pjesë të Serbisë, teksa ka lënë të nënkuptohet se dialogu vazhdon të jetë prioritet i katërt i qeverisjes së tij.

“Nuk mund të jetë prioriteti i parë ose i dytë, sepse janë drejtësia dhe punësimi. Por, nuk e mohoj rëndësinë e dialogut – edhe për BE-në, Kosovën dhe Serbinë dhe rajonin, por më e rëndësishmja është që ky dialog të jetë i përgatitur mirë, të jetë dialog i sinqertë në të cilin nuk jemi nën presionin e kohës, por jemi me përkushtimin për substancë”, tha Kurti.

I pyetur nëse është diskutuar për datën e fillimit të dialogut, Kurti tha se nuk mund ketë datë pasi fillimisht duhet formuar institucionet e reja të dala pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Mirosllav Lajçak do të takohet sot edhe me liderët e partive politike dhe ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit