Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencën e Forumit Ekonomik të Vjenës me titullin “Vienna Economic Talks- Prishtina Meeting 2023”, tha se në këto dy vjet të qeverisjes kanë treguar se, Kosova është në rrugën e duhur ku të ardhurat nga taksat janë rritur për 65 për qind, ndërsa edhe investimet e huaja direkte janë dyfishuar.
Kryeministri Kurti tha se në vitin 2023 po e kthejnë një faqe të stabilitetit aktual pas goditjeve ekonomike si rrjedhojë e pushtimit të Ukrainës, dhe pandemisë Covid-19.
Kurti parasheh përparim në energjinë e ripërtëritshme brenda 10 vjetësh.
Kurti: Shifrat kanë treguar se jemi në rrugën e duhur gjatë dy viteve të para në qeveri
“Shifrat kanë treguar se jemi në rrugën e duhur gjatë dy viteve të para në qeveri, të ardhurat nga taksat janë rritur me 66%, dhe investimet tona të huaja direkte janë dyfishuar. Mesatarisht, gjatë çdo viti të qeverisjes sonë, ne kemi gjeneruar më shumë të ardhura për ekonominë tonë sesa gjatë komplet tre viteve të mëparshme… Siç i përmenda arritjet e së shkuarës, jam edhe më entuziast për ato të së ardhmes, po shikojmë ambiciet dhe vitet e gjelbërta përpara, një marrëveshje e fundit me FMN-në na jep 80 milionë euro si fillim për ndërtimin e kapaciteteve të energjisë së rinovueshme dhe diellore me mundësinë e 80 milionëve të tjera. Dhe në strategjinë tonë të energjisë 2022-2031, ne parashikojmë për më pak se 10 vjet më shumë se 1300 megavat të gjeneruara nga burimet e rinovueshme… Në vitin 2023 ne po kthejmë një faqe të stabilitetit aktual që kemi arritur pas goditjeve ekonomike të pushtimit të Ukrainës, dhe pandemisë Covid-19, që na lejon të planifikojmë për sfidat dhe të kapim mundësitë për të ardhmen”, u shpreh Kurti.
Presidenti i Forumit Ekonomik të Vjenës Victor Jackovich u shpreh se ekonomia zhvillon politikën, ndërsa theksoi se si Forum kanë marrëdhënie të shkëlqyera me Republikën e Kosovës.
Sipas tij liberalizimi i vizave për qytetarët kosovar si dhe pranimi i aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës e afirmojnë shtetin kosovar, por edhe rrisin mirëqenien e qytetarëve.
Jackovich: Biznesi zhvillon ekonominë
“Forumi Ekonomik i Vjenës nuk është një organizatë politike, ne jemi një Asociacion ekonomik ndërkombëtar. Por, ajo që kemi gjetur dhe besojmë fort është se politika dhe biznesi nuk janë të ndara, ato janë të ndërthurura, janë gjithmonë të ndërthurura dhe shumë shpesh biznesi mund të zhvillojë politikën. Biznesi mund të krijojë një mjedis në të cilin zgjidhjet politike mund të bëhen më të mundshme. Jo gjithmonë ndodh kështu, por ndodh mjaft shpesh kështu që në Forumin Ekonomik të Vjenës, ne jemi të bindur se duhet të vazhdojmë punën tonë ashtu siç kemi bërë gjatë 20 viteve të fundit dhe si pjesë përbërëse e mënyrës se si ne shohim marrëdhëniet tona, marrëdhëniet tona të shkëlqyera me Republikën e Kosovës”, tha ai.
Ai theksoi se, Forumi Ekonomik i Vjenës do ta ndihmojë integrimin e plotë euroatlantik të Kosovës.
Sipas Jackovich presionet me të cilat po përballet Kosova do t’i kapërcej ato, sepse ka një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike.
Jackovich: Forumi do ta ndihmojë integrimin euroatlantik të Kosovës
“Sot keni një ekonomi të gjallë, një shtet funksional, një popullsi shumë të talentuar dhe një qeveri të mençur. Ka shumë sfida, përballeni me shumë sfida, madje edhe presione do të thosha, nga shumë vende të ndryshme, nga Uashingtoni, nga Brukseli, nga Beogradi, nga kudo, dhe ndoshta ky është fati i një shteti të vogël. Por, sepse keni një demokraci dhe sepse keni mbështetjen e popullit tuaj, dhe sepse keni një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike, ju jeni në gjendje t’i përballoni këto sfida dhe t’i kapërceni ato. Dhe në këtë mjedis Forumi Ekonomik i Vjenës do të vazhdojë punën e tij me Kosovën dhe do të vazhdojë ta ndihmojë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit të plotë euroatlantik”, tha ai.
Sekretarja e përgjithshme e Forumit Ekonomik të Vjenës, Elena Kirtcheva deklaroi se qeveria e Kosovës është shembull i bashkëpunimit të shkëlqyer.
Ajo theksoi se kjo konferencë ka për qëllim të diskutojë zhvillimin ekonomik të Kosovës në epokën e sfidave dhe mundësitë e reja.
Kirtcheva: Rajoni ka nevojë për Evropë, por edhe Evropa për Rajonin
“Kjo është edhe tema e takimit tonë sot, për rëndësinë në rritje të teknologjisë së inovacionit dhe veçanërisht të arsimit si parakusht për një zhvillim të mirë ekonomik… Kosova, rajoni dhe bota, të gjithë e dinë sot se arsimi është një parakusht. Bota dhe ne nga Ballkani, apo nga rajoni na duhet një parakusht arsimor më i mirë për një zhvillim të mirë Ekonomik. Ne duhet të shohim përpara, duke parë brenda konsolidimit të rajonit, ky është qëllimi kryesor i Forumit Ekonomik të Vjenës, që të kemi konsolidimin sepse rajoni ka nevojë për Evropën, por më lejoni të them se edhe Evropa ka nevojë për rajonin, por Evropa ka nevojë për një rajon të konsoliduar, dhe ky është qëllimi i Forumit Ekonomik të Vjenës dhe dua t’ju them përsëri shumë faleminderit kryeministër sepse mbështetja juaj dhe përpjekja juaj për të punuar për këtë rajon të konsoliduar është shumë e mirë, shumë e dukshme”, tha ajo.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli theksoi se përmes këtyre konferencave si kjo e Forumit Ekonomik të Vjenës promovohet vendi për investime.
Rizvanolli: E promovojmë vendin tonë për investime
“Është shumë me rëndësi që ta vendosim Kosovën në hartën e vendeve ku mbahen këto lloj konferencash dhe mblidhen edhe ekspertët edhe kompanitë edhe ambasadorët e vendeve të ndryshme dhe politik-bërësit dhe në këtë mënyrë e promovojmë vendin tonë për investime përtej diskutimeve, cilësisë së diskutimeve dhe ideve që shkëmbehen në këto lloj forume”, tha ajo.
Kryeministri Kurti, në emër të Republikë së Kosovës, në 15-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të Kosovës në këtë forum, pranoi çmimin nga Forumi Ekonomik i Vjenës për bashkëpunim dhe kontribut të shkëlqyeshëm në zhvillimin ekonomik të nivelit nacional dhe rajonal, çmim ky që u dorëzua nga Presidenti i Forumit Ekonomik, Victor Jackovich


