​Kurti: Të dielën është cenuar siguria e integriteti territorial i shtetit

Mos i humb

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se në sulmin e së dielës nga grupet terroriste serbe, është dëshmuar profesionalizimi i policëve të Kosovës, e që është suksesi i tyre më i madh prej shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Gjatë sulmit në veri, ai shtoi se është dëshmuar edhe rreziku dhe qëllimi i grupeve kriminale, me mbi pesë milionë euro vlerë të armatimit ushtarak. Shefi i ekzekutivit u shpreh se ky sulm terrorist ekspozon nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar më të madh për ruajtjen, mbrojtjen dhe kontrollin e kufirit me Serbinë.

Anëtarët e kabinetit qeveritar kanë mbajtur një minutë heshtje në nderim të rreshterit të rënë në detyrë, Afrim Bunjaku.

Në adresimin e tij, para fillimit të mbledhjes së qeverisë, kryeministri Albin Kurti tha se të dielën është cenuar sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe siguria kombëtare.

“Po atë ditë është dëshmuar rreziku, qëllimi, potenciali dhe gatishmëria e grupeve kriminale dhe terroriste të cilët i kemi luftuar për më shumë se dy vjet e gjysmë. Me mbi pesë milionë euro vlerë të armatimit ushtarak dhe sasi të mjaftueshme për një grup qindra luftëtarë, është dëshmuar skenari për gjakderdhje në Kosovë. Aty janë përfshirë individë të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar për aktivitete kriminale. Ata janë në kërkim të institucioneve të drejtësisë për vepra penale në Kosovë. Ata shfaqën në krahë e përkrah e në një tryezë në Beograd e në Rashkë me presidentin e Serbisë, Vuçiq duke paralajmëruar rolin e drejtpërdrejt të shtetit serb në këtë mes”, u shpreh ai.

Në sulmin e së dielës, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, Kurti shtoi se është dëshmuar profesionalizimi i jashtëzakonshëm i Policisë së Kosovës.

“Përballë kësaj është dëshmuar profesionalizmi i jashtëzakonshëm i Policisë së Kosovës, institucioneve tona të sigurisë në përgjithësi. Është dëshmuar kapaciteti i tyre i plot për të mbrojtur republikën. Ky është suksesi i tyre më i madh që prej shpalljes së pavarësisë, kjo na bën krenar të gjithëve dhe secilin. Andaj sot ju ftoj të gjithëve juve këtu dhe të gjithë qytetarët e Kosovës që t’i falënderojmë pjesëtarët tanë të policisë në uniformë kudo dhe kurdo që i shihni.

Në mëngjes, gjatë ditës, a në mbrëmje, në rrugë, në sheshe, në vend të punës, në lagje, në trafik, ju faleminderit për shërbimin tuaj”, shtoi Kurti.

Më tej, shefi i ekzekutivit potencoi edhe nevojën e bashkëpunimit më të madh ndërkombëtar për ruajtjen dhe mbrojtjen e kufirit me Serbinë.

“Sulmi terrorist i së dielës gjithashtu ka ekspozuar edhe vështirësitë sa edhe nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar edhe më të madh për ruajtjen, mbrojtjen dhe kontrollin e kufirit me Serbinë. E bashkë me të edhe nevojën për dënim të hapur me gjuhë të qartë e të përveçme dhe kërkesa të prera ndaj Serbisë nga komuniteti ndërkombëtar.

Sepse kufirin me Serbinë më shumë se sa vija e gjatë kufitare dhe terreni malor, veçanërisht në pjesën veriore të rrezikshëm dhe të vështirë e bëjnë sjellja dhe apetitet e Beogradit zyrtar. Njëkohësisht pas dokumentimit të pjesëmarrjes në këtë sulm terrorist, të nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojiçiq është vërtetuar edhe një gjë që meriton vëmendjen e të gjithëve, rëndësia jetike e ringjalljes së pluralizmit politik të serbëve në Kosovë. Nuk ka demokraci e liri pa pluralizëm, serbët e Kosovës duhet të çlirohen nga tutelat e Serbisë”, përfundoi ai.

Afrim Bunjaku i u vra më 24 shtator në krye të detyrës, në mbrojtje të rendit dhe ligjit, në Banjskë të Zveçanit.

Deri më tani janë konfirmuar tre terroristë të vrarë dhe tetë persona të arrestuar nga Policia e Kosovës.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit