Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë sot seancën e radhës plenare, e cila do të nisë në orën 10:00. Pika kryesore e diskutimeve pritet të jetë shqyrtimi dhe miratimi i projektbuxhetit për vitin 2027, së bashku me paketën fiskale.
Pjesë e rendit të ditës do të jenë edhe dy aktet normative të miratuara nga qeveria më 28 tetor. Ato parashikojnë ndryshime në ligjin për tubimet, si dhe përcaktojnë dëmshpërblimin për subjektet e dëmtuara nga aktet e dhunshme të ndodhura gjatë protestave.
Ndërkohë, Partia Demokratike ka paraqitur 28 amendamente për projektbuxhetin, përmes të cilave synon të ndryshojë ndjeshëm mënyrën e shpërndarjes së fondeve në buxhetin shtetëror, vlera e të cilit tejkalon 10 miliardë euro. Propozimet e opozitës lidhen kryesisht me rritjen e pagave për kategoritë me të ardhura të ulëta dhe mesatare, shtimin e fondeve për pensionet, si dhe zgjerimin e aplikimit të TVSH-së 6% për produktet bazë, duke përfshirë edhe ujin dhe energjinë.
Edhe Partia e Lirisë ka bërë publike propozimet e saj, duke depozituar 12 amendamente të organizuara në katër paketa që lidhen me rininë, prodhimin vendas, sigurinë dhe mbështetjen sociale.
Përveç projektbuxhetit dhe akteve normative, deputetët do të kenë për shqyrtim edhe një sërë nismash të tjera ligjore. Mes tyre janë projektligjet për tregjet e kriptoaseteve, donacionet dhe sponsorizimet, mbikëqyrjen shtesë të institucioneve financiare, kontabilitetin në sektorin publik, si dhe kontrollin e punimeve në ndërtim.
Në rendin e ditës është përfshirë gjithashtu projektligji për krijimin e Liceut Francez në Korçë. Po ashtu, do të shqyrtohet edhe propozimi për shtimin e një anëtari në përbërjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar, i cili do të merret me fazën e dytë të reformës administrativo-territoriale.


