Të paktën tre civilë janë vrarë nga një sulm me raketa ndaj vendbanimeve civile në jug të kryeqytetit të Libisë, Tripoli, të kryer nga milicitë e liderit të forcave jolegjitime në lindje të vendit, Khalifa Haftar.
Këshilltari mediatik i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) të njohur nga Kombet e Bashkuara (OKB), Emin Hashimi, tha për AA se milicitë e Haftarit kanë sulmuar zonën Zeneta të populluar me civilë në jug të Tripolit.
Hashimi tha se nga tre civilët e vrarë, dy janë gra.
Më herët, forcat e qeverisë libiane njoftuan se kanë qëlluar një cisternë që po furnizonte me karburant milicitë e Haftarit dhe dy automjete ushtarake të armatosura.
Së fundmi, forcat qeveritare të Libisë kanë korrur suksese të mëdha në operacionet e nisura për zmbrapsjen e militantëve besnikë të Haftarit.
Që nga rrëzimi i sundimtarit disadekadësh të vendit, Muammar Gaddafi, në vitin 2011, në vend janë shfaqur dy pushtete, ajo e Haftarit në Libinë lindore, e mbështetur kryesisht nga EBA dhe Egjipti, dhe GNA në Tripoli, e cila gëzon njohjen e OKB-së dhe atë ndërkombëtare.
GNA është sulmuar nga forcat e Haftarit që nga prilli i kaluar, duke lënë më shumë se 1.000 të vrarë nga dhuna. GNA filloi operacionin “Stuhia e Paqes” më 26 mars për të zmbrapsur sulmet ndaj kryeqytetit.


