
Ish-ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Avigdor Lieberman pohon se koalicioni i madh është e vetmja zgjidhje e mundshme pas zgjedhjeve të djeshme parlamentare në këtë vend.
Në Izrael dje u mbajtën zgjedhjet e përsëritura parlamentare, në të cilat, sipas sondazhit të votimit, mbështetje të barabartë morën edhe partia Likud e kryeministrit aktual Benjamin Netanyahu dhe aleanca “Kaltër dhe Bardhë” në krye të së cilës është ish-shefi i Shtabit të ushtrisë izraelite, Benny Ganntz.
As djathtistët e Netanyahut, as të qendrës së Ganntz-it momentalisht nuk kanë shumicën për formimin e qeverisë ndërsa partia e ish-ministrit të Mbrojtjes Lieberman do të mund të ketë rolin kyç në bisedimet e ardhshme ndërpartiake.
Lieberman sot në mëngjes deklaroi se do të insistojë në formimin e koalicionit të madh dhe qeverisë së unitetit sekular mes Netanyahut dhe Gantz-it.
Gantz më herët deklaroi se nuk dëshiron të koalicionojë me kryeministrin Netanyahu për shkak të faktit se gjatë javëve të ardhshme pret ngritje të aktakuzës që kryeministrin e ngarkon për korrupsion.
Ndonëse ende nuk ka rezultate zyrtare të zgjedhjeve të djeshme, analistët thonë se beteja për mandatin e pestë të Netanyahut do të jetë më e vështira në karrierën e tij politike.


