Ligji që zgjidh lëmshin e pronave

Mos i humb

Në kulmin e protestave për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën e Unazës së Re, qeveria ka dërguar me urgjencë në Parlament dy projektligje, të cilat synojnë të zgjidhin lëmshin shumëvjeçar të pronave dhe të përshpejtojnë procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje.

Drafti i parë parashikon bashkimin në një institucion të vetëm të ALUIZNI-t, Zyrës së Regjistrimit të Pasurive dhe Agjencisë së Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike. Institucioni i ri do të quhet Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe ai do të jetë organi i vetëm përgjegjës për procedurat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, administrimin e regjistrit publik të këtyre pasurive, si dhe për njohjen e titujve të pronësisë.

Krijimi i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës është shoqëruar edhe nga një projektligj tjetër që synon të zgjidhë përfundimisht kaosin me titujt e pronësisë dhe legalizimin e ndërtimeve pa leje. Në relacionin shoqërues, qeveria saktëson se ky projektligj është instrumenti kryesor i qeverisë që do të mundësojë përfundimin e procesit të legalizimeve, atë të dhënies së titujve të pronësisë për tokat bujqësore, trojeve të paprivatizuara si dhe oborret në përdorim.

Sipas të dhënave të bëra publike në projektligj, aktualisht janë evidentuar 227 mijë objekte që përmbushin kushtet për legalizim. Nga këto janë legalizuar deri më tani 150 mijë objekte dhe mbeten për t’u legalizuar edhe 77 mijë të tjera. Ndërsa në lidhje me tokën bujqësore, nga 450 mijë akte të marrjes në pronësi janë regjistruar 250 mijë dhe mbetet edhe 200 mijë të tjera, ku përfshihen edhe ata që e kanë marrë tokën në përdorim. Sipas draftit, këta persona do të përfitojnë përfundimisht pronësinë e tokës bujqësore të cilën e kanë marrë në përdorim.

Sipas relacionit, përmes këtyre dy projektligjeve do të bëhet e mundur që brenda një periudhe 10-vjeçare kaosi me titujt e pronësisë, si për tokën, ashtu edhe për ndërtimet pa leje, të zgjidhet përfundimisht./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit