LLOGARITJA E BORXHIT QË KA DIKUSH NDAJ DIKUJT, ZEQAT TË PASURISË

Mos i humb

Këshilli Evropian për Fetva dhe Gjurmime
Fetvaja 90 (2/14)

Pyetja:Unë, para shtatë vitesh, u dhashë borxh vëllaut dhe motrës time në Palestinë. Ju e keni të qartë se ata çojnë jetë të vështirë. Gjendja e tyre, edhe para Intifadës, ka qenë e rëndë, e tash, pas Intifadës, është randuar edhe më shumë.

Unë vazhdoj t’u ndihmoj materialisht dhe t’ju dërgoj para, dhe dua që t’ua fali borxhet që m’i kanë. Mirëpo, unë kam të ardhura mesatare, dhe jetoj jashtë Palestinës, gjegjësisht ka një kohë që jetoj në Bosnjë, dhe as këtu në Bosnjë, dhe as atje në Palestinë, nuk kam shtëpi. Për atë, a e kam të lejuar sipas sheriatit që, sasinë e borxhit që ua kam dhënë vëllait dhe motrës, ta konsideroj zeqat vjetor të pasurisë time, derisa të lahet borxhi i tyre?

Borxhi që ma kanë arrinë 7000 dollar, ndërkaq unë, në rastet e fitimit më të mirë, nuk nxjerri më tepër se 1000 dinar Zeqat vjetor.

Nëse kjo që po e them në lejohet, atëherë, a më lejohet mua që ta marr borxhin që ma kanë ata, nga mjetet financiare të cilat i grumbulloj personalisht nga bamirësit me qëllim që të dërgohen për qëllime të ndryshme bamirëse në Palestinë?

Më duhet t’ua bëj me dije se disa nga këto mjete janë donacione të përgjithshme, e disa tjera janë mjete Zeqati.

Përgjigja: Zeqati është obligim që ka caktuar Allahu i Madhërishë në pasurinë e muslimanëve, pasuria e të cilëve e ka arritur limitin-Nisabin, prej ku fillon të llogaritet Zeqati. Ky obligim është caktuar nga Allahu si e drejtë e të varfërve të cilëve ju takon Zeqati.

Allahu i Madhërishëm ka thënë:<<Dhe ata që në pasurinë e vet kanë ndarë një pjesë të caktuar. Për lypësin dhe për nevojtarin që nuk lyp.>>[El-Mearixh: 24-25].

Poashtu, Allahu i ka përshkruar robërit e Vet besimtarë se ata janë:<<…që falin namazin dhe japin zeqatin…>>[El-Maide: 55].

Allahu i Madhërishëm i udhëzon muslimanët që Zeqatin ta destinojnë për grupet e përcaktuara në ajetin:<< Allahu caktoi obligimin që lëmoshat (zeqati etj.) t’ju takojnë vetëm:të varfërve (nevojtarëve), të ngratëve (që s’kanë fare), punonjësve (që e tubojnë), atyre që duhet përfituar zemrat (të dobtive në besim), e duhet dhënë edhe për lirim nga robëria, të mbyturve në borxhe, (luftëtarëve), në rrugën e Allahut dhe atij që ka mbetur në rrugë.

Allahu e di gjendjen e robërve, punon sipas urtësisë së vet.>>[Et-Tevbe: 60].
Shumica e juristëve islamë (Xhumhuru-l-fukaha), janë të pëlqimit se lejohet i tërë Zeqati apo një pjesë e tij, t’i jepet njërit që e meriton, pjesë e tetë grupeve, nëse nevoja e tij për Zeqat është e madhe.

Këshilli Evropian për Fetva dhe Gjurmime, i ka parasysh debatet e dijetarëve dhe mendimet e tyre të ndryshme për çështjen e shtruar në pyetje, por i jep përparësi lejimit të faljes së borxhit që e ka ndaj teje vëllau dhe motra, me nijet që këtë borxh ta konsiderosh Zeqat, me çka ruhet interesi i palëve dhe merren parasysh objektivat e legjislaturës islame (mekasidu esh-sheri’a).

Ndërkaq, për sa u përket mjeteve financiare të cilat i ke grumbulluar nga bamirësit me qëllim që të dërgohen për qëllime të ndryshme bamirëse në Palestinë, nuk të lejohet që t’i përdorish për këtë qëllim, por e ke obligim që t’ua dërgosh atyre që u takojnë.
prej arabishtes: Bashkim Aliu

fusnotë:
Nga ky formulim shihet qartë se për çështjen në fjalë ka debate mes dijetarëve. Pjesa më e madhe e dijetarëve-Xhumhuri, përfshi këtu edhe shkollën juridike hanefite, nuk e lejojnë një gjë të tillë, ngase në parim, Zeqati është adhurim-ibadet, dhe adhurimet bëhen me nijet-qëllim.

Kur është dhënë borxhi, nuk është dhënë me nijet Zeqati, por si borxh. Nisur nga kjo, borxhit i ka munguar nijeti, dhe nuk mund të konsiderohet Zeqat.

Ka disa dijetarë që e kanë lejuar, me sqarime dhe hollësi që kanë dhënë për çështjen në fjalë. Këtë veprim e kanë lejuar disa tabi’inë-gjenerata që i takoi shokët e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., por jo edhe atë vetë, dhe disa dijetarë tjerë, fjala vjen si Ibn Tejmije. Këta kanë nisur nga funskioni i Zeqatit, e që në këtë rast, edhe borxhi e kryen atë funksion.

Normalisht kanë përmendur edhe aspekte tjera dhe kanë dhënë edhe sqarime tjera, si dhe kanë vënë kushte. Por, këtu u mjaftuam vetëm me këtë, sa për të qenë në dijeni se për këtë çështje ka mendime tjera, edhe atë të shumicës së dijetarëve, megjithë që Këshilli Evropian për Fetva dhe Gjurmime e ka përzgjedhur lejimin.

Kjo fetva, për rrethanat tona si muslimanë shqiptarë në trojet tona, u është interesante për pronarët e shitoreve të artikujve ushqimorë me pakicë, të cilat në mesin tonë njihen si “dyqane”.

Këta kanë lista me numër të madh borxhlinjsh, të cilët kanë marrur veresi artikuj për nevoja jetësore, si: miell, kripë, vaj, sheqer, detergjente, etj. Në të shumtën e rasteve, këta borxhlinj janë të varfër dhe s’kanë të ardhura, ashtu që rëndë se mund ta kthejnë borxhin.

Por, nga ana tjetër, ka raste kur të njejtit marrin veresi artikuj jo të nevojshëm jetësor, si: cigare, akullore, çokollada, etj. Për atë duhet patur kujdes në këtë drejtim. Personalisht u sugjeroj atyre që e mbështesin lejimin mos zgjerohen, por nëse duhet ta bëjnë këtë sipas kësaj fetvaje, le ta bëjnë në raste të kufizuara, kur vërtet rrethanat ta imponojnë një veprim të tillë, siç është rasti me të varfërit në Palestinë (B.Aliu).

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit