Filipinet u goditën nga një tajfun i fuqishëm, ku humbën jetën të paktën 17 persona, ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë u evakuuan.
Agjencia Filipinase e Lajmeve, duke cituar Zyrën e Mbrojtjes Civile (OCD) të vendit, tha se super tajfuni Rolly, cikloni më i fuqishëm i vitit, goditi dje rajonin Bicol dhe numri i viktimave u rrit në 17.
“Shumica e viktimave ose u zhdukën ose u varrosën nga sasia e madhe e materialeve vullkanike që ranë nëpër shpatet e Vullkanit Mayon ndërsa reshjet e mëdha dhe të forta goditën Albay-n”, tha Jessar Adornado, shefi i divizionit të operacioneve pranë OCD-së.
Dega e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar në Filipine tha në një deklaratë në Twitter se rajoni i Viracit ka pësuar dëme 80-90 për qind në ndërtesat e banimit, ndërsa supermarketi i tij është “dëmtuar plotësisht”.
“Ende nuk ka ujë, energji elektrike, sinjalizim, ndërsa stacionet e benzinës janë të mbyllura në të gjithë krahinën”, tha Shefi i Kryqit të Kuq të Filipineve, Dick Gordon.
Tajfuni Rolly goditi dje Filipinet, duke sjellë përmbytje, rrëshqitje të baltës dhe erëra të forta.
Zyrtarët thanë se tajfuni kishte shpejtësi të erës deri në 280 kilometra në orë dhe fillimisht goditi provincën lindore Catanduanes, duke sjellë me vete reshje të mëdha shiu.
Më pas, tajfuni zbriti katër herë gjatë gjithë ditës në ishullin Luzon, duke çuar në përmbytjen e qyteteve bregdetare dhe përmbytje të lumenjve.
Tajfuni mbrëmë u dobësua, duke ulur kategorinë në stuhi tropikale dhe vazhdon të dobësohet mbi Detin e Filipineve Perëndimore.
Në raportin e OCD-së thuhet se 108.561 familje apo 394.859 persona janë zhvendosur në vende më të sigurta. Ata jetonin në zona me rrezik për përmbytje dhe rrëshqitje të tokës në provincat Albay, Sorsogon, Camarines Sur, Camarines Norte dhe Catanduanes.


