“Luftë” Euros, BSH miraton paketën kundër valutës

Mos i humb

Banka e Shqipërisë miratoi një paketë masash ligjore, të cilat synojnë të ulin përdorimin e euros në ekonominë shqiptare.

“Procesi i deeuroizimit është i nevojshëm dhe dobiprurës në afatin e gjatë, si për përmirësimin e efektivitetit të politikave ekonomike dhe financiare ashtu edhe për uljen e rreziqeve të stabilitetit financiar. Studimet dhe analizat tona evidentojnë se përdorimi i valutave të huaja në sferën e aktivitetit të brendshëm ekonomik e financiar është në një shkallë relativisht të lartë. Ky fenomen lidhet si me përdorimin e lartë të valutave në transaksionet tregtare, ashtu edhe me përdorimin e lartë të tyre si mjet kursimi, në formën e depozitave bankare, apo edhe si mjet financimi, në trajtën e kredimarrjes në valutë”, tha Guvernatori Gent Sejko.

Paketa rrit kostot për bankat nëse ato pranojnë depozita në euro, ose japin kredi në këtë monedhë. Sipas Guvernatorit, këto masa do të ulin rreziqet për ekonominë.

“Këto ndryshime rregullative synojnë ta bëjnë më të kushtueshme (pra, më pak të preferuar) veprimtarinë në valutë të sektorit bankar dhe të forcojnë mekanizmat e ndërgjegjësimit të huamarrësve (veçanërisht të atyre individë dhe të pambrojtur nga rreziku i kursit të këmbimit) për rreziqet që shoqërojnë huamarrjen në valutë. Këto ndryshime, hyjnë në fuqi brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti”, sqaroi Sejko.

Ulja e përdorimit të euros në ekonomi është rekomanduar edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar si dhe agjencia e vlerësimit “Standard and Poors”. Sipas tyre, kjo masë nxit ekonominë dhe forcon qëndrueshmërinë financiare të vendit./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit