Lutja dhe kushtet e pranimit

Mos i humb

Lutja-Duaja

Lutja është prej mjeteve të ligjshme për plotësimin e nevojave të robërve dhe është ndër format më të qarta të përuljes dhe nënshtrimit ndaj Zotit të Gjithësisë. Ajo është burim shprese dhe optimizmi. Ajo është shenjë e besimit dhe e devotshmërisë. Ajo është gjithashtu një prej formave të adhurimit, andaj nuk lejohet që besimtari t’i drejtohet me lutje dikujt tjetër veç Allahut të Madhëruar. Feja Islame e edukon besimtarin që lutja të ketë gjithmonë përparësi në zgjidhjen e nevojave të tij. Lutja ishte simbol i mbarë Profetëve të Allahut.

Allahu i Madhëruar  thotë: ‘’ E kur robërit e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet…’’ Bekareh 186

Poashtu thotë: ‘’ Luteni Zotin tuaj të përulur e në heshtje, pse Ai nuk i do ata që e teprojnë.’’ Araf 55

Profeti (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: ‘’Nuk ka gjë më të nderuar tek Allahu se lutja’’ Ahmedi 8748

Poashtu ai ka thënë: ‘’Lutja është adhurimi vetë’’ Ahmedi 1835

KUSHTET E PRANIMIT TË LUTJES:

1) Vendosmëria dhe këmbëngulja ndërsa lutemi. Profeti(Paqja qoftë mbi të) ka thënë: ‘’(Lutësi) duhet të lutet me vendosmëri’’ Buhari 6339

2) Të tregohet nënshtrueshmëri dhe përulje, gjatë lutjes. Allahu i Madhëruar thotë: ‘’ Luteni Zotin tuaj të përulur e në heshtje, pse Ai nuk i do ata që e teprojnë.’’ Araf 55

3) Mosnxitimi për pranimin e lutjes. Thotë Porfeti(Paqja qoftë mbi të): ”Lutja i pranohet gjithëkujt për sa kohë që nuk ngutet dhe të thotë: e kam lutur Zotin tim por nuk më është përgjigjur!.’’ Buhariu  6340 dhe Muslimi 2735

4) Ushqimi me hallall, që konsiderohet kusht themelor për pranimin e lutjes. Për këtë Profeti (Paqja qoftë mbi të) ka cekur shembullin e njeriut që është në një udhëtim të gjatë, me flokët e shprishur dhe trupin e pluhurosur, por që është ushqyer me haram, ka pirë haram dhe ka jetuar me haram, atëherë si t’i pranohet lutja atij”? Muslimi 1015

5) Kërkesa të jetë e ligjshme. Profeti (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: ‘’Cilido musliman që bën një lutje e cila nuk përmban mëkat…’’ Ahmedi 11133

DISA SHKAQE TË PRANIMIT TË LUTJES:

  1. Udhëtimi. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Janë tri lutje të cilat janë të pranuara pa asnjë mëdyshje: lutja e atij të cilit i është bërë padrejtësi, lutja e udhëtarit dhe lutja e prindit për fëmijën e tij.” Në një transmetim tjetër të këtij hadithi qëndron: “…dhe lutja e prindit kundër fëmijës së tij.” Tirmidhiu 1905

Udhëtimi i gjatë përmban lodhje dhe mundime të ndryshme si dhe mall për familjen, atdheun,të afërmit, dhe miqt. Kjo bën që njeriu të ndihet nevojtar dhe i përulur para Zotit të tij dhe për rrjedhojë lutjet që ai bën dalin nga thellësia e zemrës së tij dhe janë të sinqerta. Përulja dhe sinqeriteti janë dy nga kriteret kyç të pranimit të lutjeve.

  1. Thjeshtësia dhe përulja para Allahut. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Ka njerëz të atillë që janë të pluhërosur me flokë të shprishura, të cilëve nuk u kushtohet vëmendje, saqë nëse do të trokisnin në dyert e njerëzve do t’i largonin. Porse, po të luteshin duke u betuar në emrin e Allahut, Ai do t’ua pranonte lutjen.” Muslimi. 2622
  2. Ngritja e duarve kah qielli. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Vërtetë Allahu është i turpshëm dhe bujar. Atij i vije turp që kur njeriu i ngritë duart lart kah Ai (me lutje), e Ai t’ia kthejë bosh (pa përgjigje).”Tirmidhiu 3556

TRI NDARJET E LUTJES SA I TAKON PRANIMIT:

Profeti (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: ‘’Secilit musliman që bën një lutje e cila nuk përmban mëkat as prishje të raporteve me të afërmit, Allahu do t’i japë një nga këto tri gjëra: ose ia pranon lutjen,ose ia rezervon shpërblimin e saj në botën tjetër ose largon nga ai një të keqe po aq sa ajo’’ Ahmedi 11133

Përshtati Rexhep Milaqi

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit