Drejtuesit e grusht shtetit ushtarak në Mali në një deklaratë të shpallur në televizionin kombëtar u zotuan për mbajtjen e zgjedhjeve “të besueshme”.
Drejtuesit e grusht shtetit, të cilët detyruan presidentin Ibrahim Boubacar Keita të japë dorëheqje, po ashtu kanë njoftuar krijimin e një Komiteti Kombëtar për Shpëtimin e Popullit (CNSP) për të mbikëqyrur një tranzicion politik.
Sipas një deklarate të lexuar në televizionin kombëtar ORTM nga koloneli Ismael Wague, zëdhënës i CNSP-së, komiteti pohoi qëllimin e tij për të krijuar një tranzicion politik civil që do të çojë vendin në zgjedhje me një “vonesë të arsyeshme”.
Ai po ashtu njoftoi qëllimin për të respektuar marrëveshjet ndërkombëtare.
Keita njoftoi dorëheqjen pasi ai dhe kryeministri Boubou Cisse pasditen e djeshme rreth orës 4.30 sipas kohës lokale u dërguan në kampin ushtarak Kati, që ndodhet rreth 15 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit Bamako.
Mali tashmë disa muaj është i tronditur nga protestat që kërkojnë dorëheqjen e presidentit.
– Dënohet arrestimi i presidentit
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, kërkoi lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të presidentit dhe anëtarëve të kabinetit të tij.
“Sekretari i përgjithshëm po përcjell me shqetësim të thellë zhvillimet në Mali, përfshirë edhe rebelimin ushtarak i cili arriti kulmin me arrestimin e presidentit Ibrahim Boubacar Keita dhe anëtarëve të qeverisë së tij”, tha në një deklaratë Stephane Dujarric, zëdhënëse e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së.
Komuniteti Ekonomik i Shteteve të Afrikës Perëndimore (ECOWAS) vendosi të mbyllë kufijtë e saj tokësor dhe ajror me Malin, pasi presidenti i këtij vendi njoftoi dorëheqjen pas arrestimit nga ushtria.
Parlamenti Pan-Afrikan (PAP) po ashtu ka dënuar grusht shtetin në Mali, duke theksuar se kundërshton çdo përpjekje për ndryshim anti-kushtetues të qeverisë.
Tensionet në Mali shpërthyen në vitin 2012 pas një grusht shteti të dështuar dhe një rebelimi nga grupet Tuareg që përfundimisht u mundësoi grupeve militante të lidhura me Al-Kaedën të marrin kontrollin e gjysmës së pjesës veriore të vendit.
75-vjeçari Keita erdhi në pushtet në vitin 2013, por është kritikuar nga disa që thonë se ai nuk ka arritur t’i mbrojë ata nga sulmet terroriste, kryesisht në pjesën veriore dhe qendrore të vendit.
Mali, një nga vendet më të varfra në botë, vuan nga prania e disa grupeve terroriste, pavarësisht pranisë së paqeruajtëve nga Franca, Mali dhe OKB-ja të cilët kryejnë operacione kundër terrorizmit atje.
Një marrëveshje e paqes e vitit 2015 midis qeverisë së Malit dhe grupeve rebele Tuareg nuk ka mundur të zbatohet.


