Mandatari për kryeministër, Zaev dorëzon në Kuvend propozimin për qeverinë e re

Mos i humb

Kreu i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM) dhe mandatar i caktuar për qeverinë e re, Zoran Zaev, ka dorëzuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut një propozim-program për punë dhe përbërjen e re qeveritare.

Pas dorëzimit të propozim-programit të punës dhe përbërjes së re qeveritare, Zaev në prani të 19 ministrave të propozuar foli para mediave.

Kreu i LSDM-së theksoi se qeveria e re do të përqendrohet në zgjidhjen e problemeve në gjyqësor, arsim, ekonomi dhe ekologji ndërsa në fokus do të jetë kriza e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19).

“Sot, si mandatar, në Kuvend dorëzoj propozimin për qeverinë që është e përgatitur të punojë në një mandat të plotë 4-vjeçar. Me mua sot janë 19 ministra dhe ministre. Të gjithë së bashku angazhohemi që të ecim përpara, çdo ditë, çdo orë do të punojmë edhe më shumë, madje edhe më mirë”, tha Zaev. 

Ai tha se qytetarët do të kenë një qeveri të qëndrueshme, efikase dhe dakorduese, e cila do të garantojë vazhdimësi në zbatimin e prioriteteve të përbashkëta strategjike, anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian (BE).

Duke theksuar se programi i qeverisë pasqyron plotësisht angazhimin e të gjitha partive politike që janë pjesë e koalicionit për luftë pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit, Zaev tha se “programi qëndron plotësisht në pastrimin e gjyqësorit dhe kontrollin e origjinës së pasurisë dhe parave të të gjithë zyrtarëve”.

Ai po ashtu shtoi se të gjithë partnerët e koalicionit pajtohen që të vazhdojnë të përkushtuar në zbatimin e marrëveshjeve me Greqinë dhe Bullgarinë si dhe të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e cila është themeli i të jetuarit së bashku në paqe. 

Mandatari për kryeministër theksoi se qeveria e re do të angazhohet për investime serioze në shëndetin publik që të kenë edhe më tepër kapacitete dhe staf të motivuar për të luftuar pandeminë COVID-19.

Ai pret që Kuvendi javën e ardhshme ta votojë propozim-programin dhe të ketë një qeveri funksionale.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit