Mandati i Xhaçkës, PD letër Spiropalit: Mblidhni sesionin e jashtëzakonshëm brenda afatit

Mos i humb

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka kthyer sot zyrtarisht përgjigje letrës së Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali.

Në letrën e firmosur nga kryetari i grupit Gazment Bardhi, nënvizohet se mbledhja e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm, kur kërkohet nga jo më pak se një e pesta e deputetëve, si një prej subjekteve kushtetuese që përmendet shprehimisht në nenin 74, pika 2 e Kushtetutës, është e detyrueshme për Kryetaren e Kuvendit, që ka vetëm një përgjegjësi që datën e sesionit ta caktojë brenda periudhës “3 ditë nga paraqitja e kërkesës”.

“Rezulton se ju keni thirrur në fakt një sesion të jashtëzakonshëm të Kuvendit, duke urdhëruar “mbledhjen jashtë sesionit të Këshillit të Legjislacionit”, por në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, së pari, e keni caktuar mbledhjen e organeve të Kuvendit përtej afatit “3 ditor” që përcakton qartësisht Rregullorja; dhe së dyti, nuk keni caktuar mbledhje të seancës plenare”, thuhet në përgjigjen zyrtare të grupit parlamentar të PD.

Grupi parlamentar i PD e konsideron mbledhja e Këshillit të Legjislacionit në këtë rast si krejtësisht të panevojshme, duke sjell në vëmendje se vetë Gjykata Kushtetuese, në vendimin nr. 55/2024 ka konsideruar se Kuvendi nuk ka vepruar në përputhje me Kushtetutën, për sa kohë çështjen e ekzekutimit të vendimit të saj ia ka nënshtruar vlerësimit të Këshillit për Legjislacionin dhe Këshillit për Mandatet.

Në fund të shkresësh, grupi parlamentar i PD ka kërkuar që Kryeparlamentarja Spiropali të zbatojë Kushtetutën dhe të përmbushë me korrektësi detyrimet që burojnë nga dispozitat kushtetutese dhe të Rregullores së Kuvendit, duke thirrur sesionin e jashtëzakonshëm brenda afatit ligjor të përcaktuar.

Sakaq, mbledhja e Këshillit të Legjislacionit u thirr dje me urdhër të kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali për të shqyrtuar vendimin nr. 55, datë 10 korrik 2024, të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me mandatin e deputetes  Xhaçka.

Duke cituar Rregulloren e Kuvendit, Spiropali dje sqaroi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese që kanë efekt në legjislacion, merren në shqyrtim nga Këshilli për Legjislacionin brenda 30 ditëve pas botimit të tyre në Fletoren Zyrtare.

Kryetarja e Kuvendit nënvizon se “Këshilli për Legjislacionin është organi i Kuvendit i cili analizon dhe diskuton efektet e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të kompetencës ku Kuvendi është palë dhe harton një raport të cilin ia paraqet Kuvendit”.

“Për rrjedhojë kërkesa e paraqitur nga 1/5 e deputetëve për thirrje të Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm, në kushtet e mungesës së një akti të Këshillit të Legjislacionit, i cili i duhet paraqitur Kryetarit të Kuvendit dhe më tej seancës plenare, e bën të pamundur zbatimin e nenit 74, pika 3 të Kushtetuës dhe Rregullores së Kuvendit”, u shpreh Spiropali.

Kryetarja e Kuvendit njoftoi të enjten se shqyrtimi në seancë do të bëhet menjëherë me fillimin e sesionit të ri parlamentar, pasi të jetë përcjellë raporti i Këshillit për Legjislacionin.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit