Manja: Prona e lirë e ish-pronarëve kthehet pa kufizime

Mos i humb

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja bëri të ditur sot se, qeveria ka miratuar dy vendime të rëndësishme që konsolidojnë skemën e kompensimit të pronave në Shqipëri.

Në një prononcim për mediet, pas mbledhjes së qeverisë, Manja theksoi se, një nga prioritetet e kësaj qeverie ka qenë dhënia e një shpërblimi të drejtë për ish-pronarët.

“Kemi kaluar dy vendime të rëndësishme në Këshillin e Ministrave që përfundimisht i hapin rrugë zgjidhjes përfundimtare të procesit të kompensimit të pronave. Para pak kohësh në Kuvend miratuam disa ndryshime që kishin të bënin me ligjin për trajtimin e pronës dhe që ishin reflektim i vendimit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe i vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe me këto dy vendime sot ne kompletojmë të gjithë paketën e akteve nënligjore në zbatim të këtij ligji”, tha Manja.

Tashmë, sipas tij, procesi i njohjes së të drejtës së pronës dhe i shpërblimit financiar për ata që do të kompensohen nuk ka asnjë pengesë ligjore.

“Me këto dy vendime, çdo ish-pronar që ka një kërkesë në Agjencinë e Trajtimit të Pronave ose do të bëjë kërkesë për njohjen e të drejtës së pronës dhe që prona është e lirë, i kthehet fizikisht siç e ka pasur në momentin kur është konfiskuar nga shteti. Pra, prona e lirë e ish-pronarëve kthehet pa kufizime”, tha Manja.

Ndërsa, për ata ish-pronarë prona e të cilëve është zënë me ndërtime informale apo që do të përdoret për interes publik, sipas tij, “do të ketë një masë shpërblimi financiar sipas metodologjisë dhe udhëzimit që është certifikuar edhe në Gjykatën e Strasburgut, por edhe nga Gjykata jonë Kushtetuese.

“Në vitin 2013 kur ne erdhëm në qeverisje gjetëm rreth 26 900 vendime që ishin lëshuar nga komisionet e mëparshme të kthimit të pronave dhe sot që flasim për rreth 20 mijë vendime ne kemi bërë edhe vlerësimin financiar të këtyre vendimeve me një vlerë prej rreth 101 miliard lekë. 974 nga këto vendime që kanë qenë për efekt të kompensimit financiar janë likuiduar. Për pjesën tjetër të këtyre vendimeve, për të cilat ka një faturë financiare tashmë me krijimin e shtratit të duhur ligjor, do të fillojmë me procesin e kompensimit”, tha Manja.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit