“Maqedonia dhe Greqia mund të merren vesh për një kompromis të qëndrueshëm”

Mos i humb

 

 

 Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev priti sot në një takim zv/ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë përgjegjës për Evropën, Michael Roth, i cili në konferencën e përbashkët për mediat pas takimit, apeloi që çështja e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë të zgjidhet këtë vit, sepse në të kundërtën, rrezikon të shndërrohet në një ‘status quo’ që do të zgjasë me vite.

Zëvendës ministri gjerman u tha gazetarëve se të dyja palët kanë vullnet të mirë për zgjidhjen e çështjes së emrit duke gjetur kompromisin e përbashkët. Sipas tij, roli i ndërmjetësit të Kombeve të Bashkuara, Matthew Nimetz është i rëndësishëm, por janë qeveritë e të dyja vendeve ato që duhet të udhëheqin procesin.

“Qeveria e Maqedonisë është pozitive dhe kreative, njëjtë siç është edhe qeveria e Athinës, prandaj mund të them se shoh dritë në fund të tunelit të gjatë”, tha Roth, në konferencën e përbashkët për mediat me kryeministrin Zaev.

“Vlerësoj se të dyja palët kanë vullnet të mirë dhe mund të merren vesh për një kompromis të qëndrueshëm. Në këtë vijë janë deklaratat e fundit të cilat vërtetojnë gatishmërinë e palëve për kompromise të vështira. Gjermania u jep përkrahje të plotë përpjekjeve për një zgjidhje në një të afërme të shpejtë”, tha ai.

Roth u ndal edhe tek çështjha e Prokurorisë Speciale Publike, puna e së cilës tha se duhet të vazhdojë për t’u dhënë fund hetimeve nga materialet e përgjuara.

“Siç jam i informuar, vazhdimi i mandatit të PSP që kërkon 2/3 në Parlament, do të jetë vështirë i realizueshëm sepse opozita kundërshton, prandaj nevojitet që PSP të inkorporohet në strukturat e rregullta të Prokurorisë”, tha Roth.

Kryeministri i Maqedonisë, Zaev, nga ana e tij theksoi se vendi ka bërë një hap të madh pozitiv, dhe tashmë nga një shtet i kapur, eshtë shndërruar në demokraci funksionale.

“Qëllimi ynë është që gjatë vitit 2018 të çelim negociatat me BE-në dhe të marrim ftesë për në NATO. Për ne është e një rëndësie të veçantë konstatimi i liderëve të BE-së se kontestimi i anëtarësimit tonë në BE do të vë në pikëpyetje sigurinë e rajonit dhe të BE-së si një tërësi. Ne jemi të bindur se liderët e BE-së njohin momentin se Maqedonisë duhet dhënë perspektivë evropiane”, tha Zaev.

Gjatë qëndrimit në Shkup, zv.ministri i Jashtëm gjerman Roth do të takojë opozitën parlamentare, kryetarin e Qytetit të Shkupit, dhe përfaqësues të sektorit civil.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit