Maqedonia fillon negociatat parainkuadruese për anëtarësim në NATO

Mos i humb

 

 

Maqedonia sot i fillon negociatat parainkaudruese për anëtarësim në NATO, pasi që në Samitin në Bruksel, më 12 korrik, vendi edhe zyrtarisht e mori ftesën për anëtarësim në Aleancën Veri-Atlantike.

Për vizitë në Maqedoni ndodhet Delegacioni i NATO-s, i kryesuar nga drejtori i Aleancës për çështje evropiane dhe globale, James McKee, i cili me përfaqësues të të gjitha institucioneve relevante në këtë proces do të bisedojë për çështje politike, financiare, juridike, të sigurisë dhe të mbrojtjes, në suaza të negociatave për anëtarësim.

McKee në konferencën e sotme për media me koordinatorin kombëtar për NATO, Stevo Pendarovski shfaqi pritje se Maqedonia do të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s për afërsisht 18 muaj. Ai theksoi se pasi që të përfundojnë procedurat e brendshme në vend dhe pasi që parlamentet e të gjitha vendeve anëtare të NATO-s do ta ratifikojnë vendimin për hyrje, Maqedonia do të bëhet anëtarja e 30-të e Aleancës.

Duke i marrë parasysh përvojat e kaluara, i tërë procesi do të duhej të zgjasë rreth 18 muaj, theksoi McKee, i cili shtoi se në bisedimet me përfaqësuesit e institucioneve të Maqedonisë do të bisedohet edhe për një sërë reformash që zbatohen në shtet, si dhe për ato të cilat fillimisht duhet të bëhen në procesin e inkuadrimit në Aleancë.

“Vendi juaj disa vite ishte i kyçur në procesin e Partneritet për paqe dhe në përpunimin e planeve të aksionit për anëtarësim, që do të thotë se shteti juaj me të vërtetë është i përgatitur”, tha McKee.

Nga ana tjetër Pendarovski tha se me këtë vizitë fillojnë negociatat parainkuadruese.

“Me vizitën e këtij delegacioni të lartë të NATO-s, ‘de fakto’, fillojnë negociatat parainkuadruese, ndërkaq ajo që kemi delegacion në NATO i cili është përbërë menjëherë pas sjelljes së vendimit në Samitin në Bruksel, do të thotë se Aleanca është e gatshme t’u përgjigjet menjëherë angazhimeve të cilat me vite i përsëritë, e ajo është ‘politika e dyerve të hapura’. Ata kanë për qëllim t’i përmbushin obligimet e veta, ne duhet t’i përmbushim obligimet tona”, tha Pendarovski.

Delegacioni i NATO-s, siç theksoi Pendarovski, me përfaqësuesit e institucioneve relevante nuk do të bisedojë për çështjet politike, që janë detyrë shtëpie, para së gjithash, këtu mendohet në Marrëveshjen e Prespës, por do të bisedohet për tërë atë që është tipike në rrjedhën e negociatave parainkuadruese me secilin vend deri më tani, nga çështjet ushtarako-teknike, e deri tek implikimet juridike dhe financiare nga anëtarësimi i ardhshëm i vendit në Aleancë.

Delegacioni është takuar edhe me kryeministrin Zoran Zaev, ku ai u përqendrua në situatën aktuale politike në vend dhe prezantoi gatishmërinë e vendit që me përkushtim dhe gatishmëri të plotë ta fillojë procesin për anëtarësim në NATO pasi në samitin e NATO-s në Bruksel vendi mori ftesën.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit