
Ndotja enorme e ajrit është njëra ndër simptomat që marrëdhënia jonë me mjedisin është zhytur thellë në krizë, kështu tha kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në tryezën “Kriza mjedisore në Kosovë”.
Sipas tij, Prishtina mbanë epitetin e kryeqytetit më të ndotur në botë.
“Ndotja e rrezikshme e ajrit është njëra ndër simptomat që marrëdhënia jonë me mjedisin është zhytur thellë në krizë. Numri i studimeve shkencore që flasin për një krizë mjedisore në planetin tonë është krahasimisht me i madh se sa i atyre që e thonë të kundërtën. Prishtina është një ndër qytetet më të ndotura në Europë. Për këtë kontribuon edhe mënyra e qeverisjes në Kosovë e posaçërisht në Kosovë pas shpalljes së Pavarësisë”, tha Kurti.
Kurti tha se cilësia e ajrit është çështje e shëndetit e mbi të gjitha e drejtë për jetë.
“Rrjeti i termokosit po shtrihet shumë ngadalë dhe nuk mbulon më shumë se disa lagje të Prishtinës. Nuk ka pasur dhe vazhdon të mos ketë asnjë projekt madhor të projektuar. Adresimi dhe zgjidhja për përmirësimin e cilësisë së ajrit trajtohet si projekt alternativ nga qeveritarët. Banorët e rajoneve të ndotura nuk kanë tjetër veç të vazhdojnë të bashkëjetojnë dhe rreziku për ta nuk është i vogël. Cilësia e ajrit nuk është as çështje e tregut, cilësia e ajrit është çështje e shëndetit e mbi të gjitha e të drejtës për jetë”, tha i pari i VV-së.


