Marrëveshja e tregtisë së lirë Kosovë-Turqi e dobishme për të dy shtetet!

Mos i humb

Marrëveshja e Tregtisë së Lirë Kosovë – Turqi do të jetë asimetrike.

Të dy shtetet kanë negociuar të gjitha produktet dhe mallrat që do të kenë tarifë zero dhe ato që do të mbrohen nga konkurrenca.

Kosova do të aplikoj në mënyrë progresive tarifa ndaj Turqisë në 10 vitet e ardhshme, ndërsa Turqia do të ketë tarifë zero për të gjitha mallrat që janë pajtuar palët që nga dita e hyrjes në fuqi të marrëveshjes.

Esin Muzbeg, Sekretar i Përgjithshëm i Odës Tregtare kosovaro-turke, i është gëzuar dekretit të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe Turqisë. Ai thotë se Kosova mund të përfitoj shumë nga kjo marrëveshje asimetrike ndërmjet dy shteteve.

“Kjo do t’i ndihmoj Kosovës që të rrisë prodhimin dhe të tërheq investitor të rinj, të cilët duan të eksportojnë mallra me tarifë zero në nga Kosova në Turqi”, tha Esin Muzbeg, Sekretar i Përgjithshëm i Odës Tregtare kosovaro – turke.

Sekretari Muzbeg thotë se Turqia do t’i ruaj 3 për qind të produkteve të saj, ndërsa pala kosovare ka inkorporuar të gjitha kërkesat e saj në marrëveshjen e tregtisë së lirë.

“Ata e ruajnë mishin ta zëmë nga të gjitha shtetet”, tha ai.

Muzbeg thotë se marrëdhëniet tregtare Kosovë-Turqi janë të mira, por duhet të përmirësohen

Esin Muzbeg, Sekretar i Përgjithshëm i Odës Tregtare kosovaro – turke, tha se “Ne nga Kosova eksportojmë 8 milionë, e Turqia 300 milionë euro mallra”.

Marrëveshja për Tregti të Lirë është negociuar nga ish ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari Lila gjatë viteve 2012-2013.

Kjo marrëveshje, krijon një marrëdhënie të re kontraktuale me tregun e Turqisë për një kohë të pacaktuar. Por në rast të anëtarësimit të ndonjërit vend në Bashkimin Evropian, kjo marrëveshje shfuqizohet ditën e hyrjes.

Dekreti ndërkombëtar për Marrëveshjen për Tregtinë e Lirë, ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, është nënshkruar së fundi nga presidenti Hashim Thaçi, pas nënshkrimit për pranim të marrëveshjes që i  ka bërë Presidenti i Turqisë.

Në marrëveshjen e negociuar mes dy shteteve, e cila po hynë në fuqi 6 vjet më pas, thuhet se dy shtetet po krijojnë Zonë Graduale të Tregtisë së Lirë, e cila do t’u mundësoj palëve tregti në mallra dhe shërbime.

Sipas marrëveshjes palët ruajnë të drejtën të mbajnë ose të krijojnë, unionet doganore, zona të tregtisë së lirë, apo marrëveshje me palë të treta.

Palët obligohen që t’i japin informacione njëra tjetrës në mënyrë që ta ruajnë transparencën.

Nga data e hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje, tarifat doganore në eksporte dhe pagesat që kanë efekt ekuivalent duhet të shfuqizohen në tregti mes palëve.

Te tatimet e brendshme, palët duhet të përmbahen nga çdo mas ose praktikë të brendshme të natyrës fiskale, e cila krijon direkt ose indirekt diskriminim ndërmjet produkte të njërës palë dhe produkteve të ngjashme me origjinë nga pala tjetër.

Marrëveshja rregullon edhe masat anti-damping dhe kundër-balancuese. Te produktet bujqësore, zhvillimi i tregtisë së produkteve bujqësore dhe politikat e tyre përkatëse, palët duhet që në Komitetin e Përbashkët, gjatë tregtimit të produkteve bujqësore, të shqyrtojnë mundësitë e dhënies së koncesioneve të mëtejshme për njëra-tjetrën.

Turqia dhe Kosova janë pajtuar që mund të ndërmarrin masa mbrojtëse bilaterale të cilat: pezullojnë  reduktimin e mëtejmë të normës së tarifave doganore për mallin në fjalë; rrisin normën e tarifave doganore për mallin deri në një nivel i cili nuk është më i vogël; tarifa doganore erga omnes e aplikuar për mallin e cila ka fuqi në kohën kur është marr masa.

Te tregtia e shërbimeve, palët njohin rëndësinë e rritje së tregtisë së shërbimeve, duke synuar arritjen e një liberalizimi progresiv dhe hapje të dyanshme të tregjeve të tyre për tregti në shërbime.

Për ta zbatuar marrëveshjen palët do ta formojnë një Komitet të Përbashkët, i cili kryesohet me rotacion.

Marrëveshje do të hyjë në fuqi në ditën e parë të muajit të dytë pas datës së pranimit të njoftimit të fundit me shkrim ndërmjet kanaleve diplomatike.

RTK merr vesh që marrëveshja do të hyjë në fuqi në fillim të gushtit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit