Masat e policisë për zgjedhjet, Jaupi: Të angazhuar 7530 punonjës

Mos i humb


Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit, Rebani Jaupi publikoi sot  masat e ndërmarra me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë procesit zgjedhor, si dhe për të siguruar mbarëvajtjen e këtij procesi.

Në një deklaratë për mediet, Jaupi tha se janë trajnuar 7530 punonjës policie, të cilët do të angazhohen me detyra gjatë procesit zgjedhor, sipas niveleve të menaxhimit policor, që nga niveli bazë i veprimit policor.

Ai nënvizoi se janë kryer përllogaritjet e numrit të punonjësve të Policisë dhe nevojave të tyre për pajisje, automjete dhe shërbime të tjera logjistike, që do të angazhohen për sigurimin e 5211 qendrave të votimit, 92 KZAZ-ve dhe 92 VNV-ve.

“Në zbatim të kërkesave të Kodit Zgjedhor, brenda afatit të përcaktuar, më datë 03.05.2023, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dërgoi në KQZ listën me 5511 punonjës policie që do të angazhohen për ruajtjen e objekteve zgjedhore në të gjithë Shqipërinë, të cilët do të ndërhyjnë në rast se kërkohet nga komisionet zgjedhore apo nga KQZ-ja. Gjithashtu, është dërguar lista me 305 automjete civile, që do të përdoren në funksion të përmbushjes së detyrimeve të Policisë së Shtetit, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë procesit zgjedhor”, nënvizoi Jaupi.

Ai shtoi më tej se janë prodhuar  nga Policia e Shtetit, 6000 kopjeve të librit të xhepit, për detyrat funksionale të punonjësve të Policisë, gjatë procesit zgjedhor, kopje të cilat janë shpërndarë në të gjitha strukturat e Policisë.

Policia do të marrë në ruajtje 57 objekteve të rëndësishme, të cilat do të sigurohen nga 192 punonjës policie nga forcat “Komando”.

Jaupi nënvizoi se Policia e Shtetit, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve zgjedhore, përsa i përket tentativës për shit-blerje të votës, bazuar në informacionet e siguruara nga shërbimet e Policisë në terren, si dhe në përmbushje të detyrimeve ligjore të përcaktuara në Kodin Zgjedhor, ka iniciuar hetime proaktive, të cilat po kryhen në drejtimin e prokurorive të rretheve gjyqësore dhe të Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Për shkak të konfidencialitetit të hetimeve për këto raste, nuk mund të japim informacione të tjera.

Gjithashtu, strukturat e Policisë në Has, Kavajë, Patos, Kukës dhe Durrës,  në bashkëpunim me prokuroritë respektive, kanë trajtuar dhe aktualisht kanë në hetim, denoncime nga subjekte të ndryshme, për çështje që lidhen me procesin zgjedhor. Për të gjitha këto raste, strukturat e Policisë kanë dhënë njoftim për median dhe qytetarët.

Jaupi shtoi se ka qenë permanent dhe intensiv, bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare, OSCE/ODIHR, të cilat monitorojnë procesin zgjedhor.

Prej ditës së martë ka nisur shpërndarja e materialeve zgjedhore nga KQZ-ja drejt KZAZ-ve, materiale të cilat janë shoqëruar nga patrulla të Policisë Rrugore dhe nga shërbime të forcave të ndërhyrjes së shpejtë.

“Tashmë jemi në fazën më të rëndësishme të periudhës zgjedhore, gjatë së cilës detyrat e Policisë janë të shtuara dhe për kryerjen e tyre kërkohen edhe më shumë angazhim dhe burime njerëzore. Në këtë kuadër, duke filluar prej orës 18:00 të ditës së sotme, deri në përfundim të procesit zgjedhor, të gjitha strukturat qendrore dhe vendore të Policisë së Shtetit, kalojnë në gatishmërinë “Shërbim i Përforcuar”, shtoi ai.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët dhe subjektet e përfshira në këtë proces, që të respektojnë plotësisht të gjitha detyrimet ligjore me të cilat i ngarkon Kodi Zgjedhor dhe ligjet e tjera.

Gjithashtu, Policia e Shtetit garanton qytetarët se ka ndërmarrë të gjitha masat, që e drejta e tyre kushtetuese për zgjedhjen e përfaqësuesve të pushtetit lokal, të ushtrohet e lirë, e qetë, e pacenuar dhe e paintimiduar prej askujt.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit