Mbahen sot zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi

Mos i humb

Në Mal të Zi sot mbahen zgjedhjet presidenciale ku konkurrojnë shtatë kandidatë.

Këto janë zgjedhjet e para presidenciale që nga përmbysja e Partisë Demokratike të Socialistëve të presidentit aktual Milo Gjukanoviç që ishte në pushtet më shumë se tre dekada, kur në gusht të vitit 2020, Fronti Demokratik pro-serb dhe pro-rus, Demokratët dhe lëvizja URA fituan shumicën në parlament.

Në këto zgjedhje ë drejtë vote kanë 542.154 qytetarë.

Kandidatët janë kreu aktual i shtetit dhe i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) Milo Gjukanoviç, një nga liderët e Frontit Demokratik (DF) Andrija Mandiç, nënkryetari i Lëvizjes Evropa Tani (PES) Jakov Milatoviç, kryetar i demokratëve Aleksa Beçiç, deputet i Partisë Socialdemokrate (SDP), Draginja Vuksanoviç Stankoviç, kreu i Malit të Zi të Bashkuar Goran Daniloviç dhe influenceri Jovan Radulović Jodžir.

Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 07:00 deri në 20:00. Këto janë zgjedhjet e katërta presidenciale që nga rivendosja e pavarësisë.

President i Malit të Zi do të zgjidhet kandidati që merr më shumë se gjysmën e votave të vlefshme të votuesve që kanë votuar.

Nëse asnjë kandidat nuk merr numrin e duhur të votave, raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet brenda 14 ditësh, pra më 2 prill.

Në raundin e dytë marrin pjesë dy kandidatët që kanë fituar numrin më të madh të votave. Presidenti i vendit zgjidhet për pesë vjet.

SITUATA
Zgjedhjet presidenciale po zhvillohen në një mjedis krize institucionale dhe politike, kur dy ditë para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale u shpallen zgjedhjet e parakohshme parlamentare për në qershor.

Analisti i njohur malazez dhe njohësi i mirë i çështjeve juridike, Velija Muric vlerëson se kjo krizë është rrjedhojë e fërkimeve politike mes ithtarëve të pavarësisë dhe atyre që e kundërshtojnë atë.

Zoti Muric thotë se Mali i Zi është i ndarë në dy grupe, mes atyre që identifikohen si malazezë dhe atyre që e shohin veten si serbë dhe kundërshtojnë pavarësinë e vendit nga ish-federata me Serbinë.

Në këtë kuadër ai vë në dukje ndikimin negativ të ndryshimit të Ligjit për Presidentin që, sipas tij, ndikoi edhe më shumë në situatën politike në vend.

“Ndryshimi i Ligjit për Presidentin nga shumica aktuale në parlament padyshim që ka një ndikim negativ në zhvillimet politike në vend. Komisioni i Venecias e kritikoi ligjin si një shkelje të Kushtetutës. Kjo ndikoi në polarizimin në rritje të shoqërisë dhe pamundësinë e autoriteteve për të gjetur një rrugëdalje nga kriza”, thotë zoti Muric.

Ai vlerëson se kjo situatë e ka devijuar Malin e Zi nga rruga europiane dhe mund të ketë pasoja të rrezikshme për të ardhmen e vendit.

Mali i Zi u bashkua me NATO-n në vitin 2017, pas një përpjekjeje të pasuksesshme për grusht shteti një vit më parë për të cilën Podgorica akuzoi agjentët rusë dhe ultranacionalistët serbë. Moska i hodhi poshtë pretendimet e tilla si absurde.

Pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë vitin e kaluar, Mali i Zi i është bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë. Kremlini në këmbim e vendosi Malin e Zi në listën e shteteve jomiqësore.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit