
Ka nisur mbledhja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, e drejtuar nga kryetarja Naureda Llagami. Në mbledhjen e sotme do të diskutohet për miratimin e akt-rregullores ku do të përcaktohet pikëzimi dhe renditja e kandidatëve jo-gjyqtarë që garojnë për Gjykatën e Lartë.
Top Channel raporton se këta kandidatë duhet të kenë të paktën 15 vite karrierë si juristë të spikatur dhe të kenë merita profesionale, personale dhe organizative. Ata duhet të kenë ekspertizë të spikatur, si dhe të vlerësohen për përgjegjshmëri dhe paanësi.
KLGJ do të marrë parasysh edhe gradat shkencore të juristëve kur të bëjë përzgjedhjen.
Aktualisht Gjykata e Lartë ka mbetur me dy anëtarë: Xhezair Zaganjorin dhe Ardian Dvoranin.
Dy ditë më parë, Ilir Meta i dërgoi një letër KLGJ-së ku kërkonte informacion mbi propozimet për vakancat në Gjykatën e Lartë, por Saimir Visha, eksperti i monitorimit të reformës në drejtësi, në një intervistë për Top Channel, deklaroi se presidenti nuk mund të kërkojë llogari nga KLGJ sepse ky institucion është pushtet i pavarur.


