Mbyllet faza e dytë e përzgjedhjes për ‘Deputeti që Duam’, Balla: PS, shtëpia e brezit të ri të politikanëve. Të fillojmë një epokë të re

Mos i humb

Pas mbylljes së fazës së dytë të përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë, ku të rinjtë u bënë pjesë e platformës ‘Deputeti që Duam’, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla deklaroi se në zgjedhjet e 25 prillit të majtët duan që fitorja të ndihet anembanë vendit. Gjatë fjalës së tij Balla falënderoi Akademinë Politike për kontributin me trajnimin e të rinjve.

Balla tha se PS vendosi që të ngrinte platformën “Deputeti që duam” dhe të investohej për të përzgjedhur më të mirët në komunitetet nga çdo rajon, qytet apo fshat i Shqipërisë.

“PS dëshiron të jetë shtëpia e brezit të ri të politikanëve, me anë të të cilëve të fillojmë një epokë të re të Shqipërisë. Një epokë ku të rinjtë do të dëshirojnë të qëndrojnë në Shqipëri dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu.”, tha Balla.

FJALA E BALLËS
E nderuar Znj. Klapper,
Drejtuese e Zyrës Friedrich-Ebert-Stiftung në Tiranë
Të nderuar pjesëmarrës,
Dita e sotme shënon përmbylljen me sukses të Akademisë Politike të konceptuar për të trajnuar kandidatët e përzgjedhur nëpërmjet platformës “Deputeti që duam”.
Jam besimplotë që këto ditë kanë qenë intensive dhe shumë frytdhënëse për pjesëmarrësit, të cilët pavarësisht rezultatit të këtij rrugëtimi, kanë përfituar shumë nga ky program. Tre trajnerë dhe shtatë personalitete të huaj dhe shqiptarë mundësuan finalizimin me sukses të kësaj Akademie. Gjej rastin për të falenderuar sejcilin prej tyre për kontributin e vyer në këtë Akademi.
Falë trajnerëve, pjesëmarrësit u aftësuan se si mund të përçojnë një mesazh politik, si mund të ndërtojnë një fushatë të suksesshme e mbi të gjitha si mund të ndërtojnë besimin në komunitetet e tyre.
Në një nga ditët e Akademisë, trajnerët Gëendolin Jungblut dhe Achim Moeller u shprehën se “Mund te fitosh zgjedhjet vetëm kur ke besimin e komunitetit dhe di të japësh përgjigjet e duhura edhe kur nuk të janë formuluar pyetje”
Mendoj se pohimi i tyre është thelbi përse ne si Partia Socialiste vendosëm të ngrinim platformën “Deputeti që duam” dhe të investoheshim për të përzgjedhur më të mirët në komunitetet tona nga çdo rajon, qytet apo fshat i Shqipërisë. Sepse ne nuk duam të kemi thjesht një fitore të subjektit politik, por kërkojmë një fitore e cila të ndihet si e tillë anembanë vendit.
Dëgjojmë shpesh të flitet për një rritje të të pakënaqurve nga sistemi apo nga cilësia e demokracisë në vend. Pikërisht që askush të mos ndihet i/e papërfaqësuar, Platforma “deputeti që duam’ ishte përgjigja jonë dhe një ftesë për përfshirje të gjithkujt që dëshiron të kontribuojë për vendin e tij.
E theksova edhe në fjalën time hapëse të Akademisë, viti që lamë pas na përballi me sfida të paprecedenta si; pasojat e tërmetit shkatërrues apo pandemia e COVID-19, të cilat kërkojnë vendimmarrës të kualifikuar në shumë drejtime, por mbi të gjitha vetëdije qytetare.
Të nderuar pjesëmarrës,
Tek mendoj për këto sfida dhe zgjidhjet që lypsen në kohë të vështira më vjen në mendje shprehja e famshme e Presidentit Amerikan John. F. Kennedy “ mos pyesni çfarë mund të bëjë vendi juaj për ju, por çfarë ju mund të bëni për vendin tuaj”
Dhe është pikërisht ky princip i cila ka shtyrë këta të rinj e të reja, burra e gra për të marrë pjesë në këtë kompeticion për të shpalosur ide se si mund të kontribuojnë në vendin e tyre. Pavarësisht rezultatit të këtij rrugëtimi jam i bindur që vullneti dhe dëshira juaj për të qenë pjesë e familjes më të madhe politike në vend nuk do të shuhet.
PS dëshiron të jetë shtëpia e brezit të ri të politikanëve, me anë të të cilëve të fillojmë një epokë të re të Shqipërisë. Një epokë ku të rinjtë do të dëshirojnë të qëndrojnë në Shqipëri dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu. Ky është qëllimi ynë të cilën e jetësuam me anë të platformës “Deputeti që duam”.

Megjithatë ky rrugëtim nuk përfundon këtu pasi kjo platformë dhe ky angazhim do të vazhdojë deri sa të kemi mundësuar që çdo i ri apo e re e këtij vendi të na bashkohet për të punuar me pasion dhe dedikim për të ardhmen e ndritur të Shqipërisë.
Në fund të fjalës sime më lejoni të falenderoj sërish Zyrën Friedrich-Ebert-Stiftung në Tiranë dhe veçanësisht drejtuesen e saj Stine Klapper dhe stafin e saj që mbështeti pa hezitim realizimin e kësaj akademie.
Një falënderim edhe për drejtuesen e Fondacionit “Qemal Stafa”, Teuta Vodo dhe patjetër grupin e punës pranë Partisë Socialiste.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit