“Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit do të ishte katastrofike”

Mos i humb

Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit do të ishte katastrofike për tregjet e naftës, e barasvlershme me skenarë të fundit të botës për tregjet globale të naftës, thotë për Anadolu Agency (AA) Samantha Gross, anëtare e programit për Siguri Energjetike dhe Iniciativa Klimatike pranë Institutit për Politikë të Jashtme Brookings, e cila megjithatë thotë se vështirë mund të vijë deri te mbyllja e ngushticës.

Ngushtica e Hormuzit ndodhet mes Gjirit Persik dhe Gjirit të Omanit dhe paraqet një kanal të madh për ngarkesat ndërkombëtare të naftës. Pjesa më e madhe e naftës nga prodhuesit më të mëdhenj në rajon, duke përfshirë Arabinë Saudite, Irakun dhe Kuvajtin, kalon përmes Ngushticës së Hormuzit në rrugëtimin për tregjet e etura për naftë në Lindjen e Largët.

Ditët e fundit shënohet një rritje e tensioneve mes SHBA-ve dhe Iranit, me këtë të fundit që u kanos se do të mbyllë Ngushticën strategjike të Hormuzit në përgjigje ndaj sanksioneve amerikane ndaj sektorit energjetik.

Të hënën e kaluar, administrata e presidentit Trump njoftoi se nuk do të vazhdojë më përjashtimet ndaj sanksioneve mbi Iranin për tetë shtetet: Turqinë, Kinën, Greqinë, Indinë, Italinë, Japoninë, Korenë e Jugut dhe Tajvanin, pas të përfundojë afati më maj. Veprimi është pjesë e “presionit maksimal” të Trumpit ndaj Iranit me qëllim që të sjellë në zero vlerën e qarkullimit të naftës.

“Presidenti Trump beson se duke na bërë neve presion, duke imponuar presion ekonomik ndaj nesh, ne do ta shesim dinjitetin tonë. Kjo nuk do të ndodhë”, tha javën e kaluar ministri i jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif.

Ai tha se është “interes thelbësor nacional” i Iranit që të mbajë të hapura Gjirin Persik dhe Ngushticën e Hormuzit.

Sipas Gross, nëse Iran tenton që të mbyllë Ngushticën e Hormuzit, përgjigjja ushtarake amerikane do të jetë “e fuqishme dhe e shpejtë”, gjë që është e njohur për Iranin.

Ajo thekson se një e treta e naftës që nxirret nga deti dhe 20 për qind e prodhimit global të naftës kalon përmes Ngushticës Hormuz.

“Unë nuk mendoj se ata do të tentojnë. Mbyllja e ngushticës do të ishte katastrofike për tregjet e naftës. Ajo do të ishte fundi i botës për tregjet globale të naftës, por vështirë se do të ndodhë”, thotë Gross.

– Presion afatgjatë për rritjen e çmimit të naftës

Gross thotë se çmimet e naftës shënuan rritje menjëherë pasi Shtëpia e Bardhë njoftoi synimin për të mos vazhduar përjashtimet ndaj sanksioneve mbi naftën e Iranit, por që atëherë çmimet kanë shënuar ulje të vogël.

“Tregjet e naftës sot duket se janë mes ndjenjave të kundërta, shqetësimin për furnizim të pakët me situatën në Venezuelë dhe Libi plus fundi i përjashtimeve për blerësit nga Irani, dhe shqetësimeve për mundësinë e ngadalësimit të rritjes ekonomike që rezulton me ngadalësim të kërkesës për naftë. Njoftimi për sanksionet nda Iranit sigurisht që rrit shqetësimet për faktorin e parë”, theksoi ajo.

Megjithatë, Gross thotë se në plan afatgjatë, edhe nëse tregu ka mundësi që të zëvendësojë humbjet e naftës nga Irani, do të funksionojë në nivel të ulët të kapacitetit dhe nuk do të jetë në gjendje që të reagojë ndaj çdo çrregullimi të ri, që do të jepte “presion afatgjatë për rritjen e çmimeve të naftës”.

Gross pretendon se zvogëlimi i eksportit të naftës iraniane në zero, gjë në të cilën kanoset administrata Trump, do të jetë shumë e vështirë.

“Por gjithashtu mendoj se Irani do të jetë në gjendje të eksportojë ‘aq naftë të papërpunuar sa ka nevojë dhe sa dëshiron’. Disa do të donin dhe do të ishin në gjendje për të tejkaluar sanksionet amerikane, veçanërisht në Kinë ku disa banka veçse janë të sanksionuara nga SHBA-të. Mirëpo Irani nuk do të mund të eksportojë aq naftë sa tani, ka gjasa që dënimi për importuesit të jetë shumë i lartë”, tha Gross.

Pas njoftimit të SHBA-ve javën e kaluar, lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, të mërkurën tha se “tentimet armiqësore të administratës amerikane për të bllokuar shitjen e naftës iraniane nuk çojnë askund, dhe se vendi do të eksportojë aq naftë të papërpunuar sa ka nevojë dhe sa dëshiron”, bazuar në mediat lokale.

– Përgjigjja e OPEC-ut

Gross tha se Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) me siguri do të rrisë prodhimin dhe vendet anëtare do të mund të shesin më shumë naftë pa i ulur çmimet pasi nafta iraniane “në masë më të madhe do të jetë jashtë tregut”.

Përmes një kumtese javën e kaluar, nga Shtëpia e Bardhë njoftuan se Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (UAE) janë zotuar që të rrisin ofertën e naftës për t’u siguruar mirëmbajtjen e ofertës globale.

“Megjithatë, ata (OPEC) mund të kënaqen me çmimet më të larta dhe mos ta zëvendësojnë fare, është vështirë të thuhet. Arabisë Saudite dhe Emirateve nuk do t’u pengonte fitimi i marrë në kosto të Iranit”, sqaron Gross.

– Çmimet e naftës do të balancohen në 70 dollarë për fuçi

Jean-Francois Seznec, ekspert nga Instituti Lindja e Mesme, për AA tha se fundi i përjashtimeve ndaj sanksioneve mbi Iranin nuk do të ndikojë shumë në çmimet e naftës në afat të shkurtër dhe të gjatë.

“Arabia Saudite, UAE dhe Rusia do të ishin të lumtura të prodhojnë më shumë naftë për më shumë para. Plus, prodhuesit amerikanë do të vazhdojnë të rrisin prodhimin e tyre. Prandaj kërkesa dhe oferta pak a shumë do të jenë të balancuara, megjithëse në 70 dollar për fuçi”, tha ai

Seznec gjithashtu parashikon që eksporti iranian i naftës do të jetë rreth 700.000 fuçi në ditë dhe se nuk do të jetë e mundshme që Irani të eksportojë “aq naftë të papërpunuar sa ka nevojë dhe sa dëshiron”.

“Mendoj se kësaj radhe SHBA në mënyrë agresive do të zbatojë sanksionet dytësore. Kjo është e ditur për shumicën e importuesve të mëdhenj dhe të mesëm, të cilët do të preferonin që të ndërrojnë Iranin në favor të furnizimeve të sigurta nga Arabia Saudite apo Rusia”, sqaron Seznec.

Ai thotë se Arabia Saudite, UAE në OPEC, Rusia dhe prodhuesit amerikanë do të jenë të lumtur që të prodhojnë më shumë naftë për një çmim relativisht të qëndrueshëm, por të lartë, mes 70 dhe 75 dollarë për fuçi.

“Nënkuptohet që ata do të rrisin prodhimtarinë, jo aq sa qeveria amerikane do të dëshironte, aq sa prodhuesve u pëlqen në 70 dollarë për fuçi”, shtoi Seznec.

Ai qartësoi se kanosja për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit u keqkuptua. Seznec theksoi se kryediplomati iranian Zarif nuk tha se Irani do të mbyllë Ngushticën e Hormuzit nëse nuk mund të shesë naftën iraniane.

“Ai tha se ata do të mbyllin ngushticën nëse SHBA mbyllë ngushticën për Iranin, gjë që, sigurisht, SHBA nuk do ta bëjë. Andaj kanosja për mbyllje nga Irani sipas mendimit tim është keqkuptim i deklaratave të Iranit nga mediat”, tha ai.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit