
Anëtari i Gjykatës Kushtetuese, i dekretuar nga Presidenti Ilir Meta, Besnik Muçi, është shkarkuar nga detyra. Komisioni i Posaçëm i Apelimit ka marrë sot vendimin për gjyqtarin Muçi duke e shkarkuar atë, me arsyetimin se nuk justifikon pasurinë.
Trupa gjykuese e KPA u shpreh se Besnik Muçi ka pasur disa probleme me pasurinë e tij dhe me deklarimin e pronave të tij.
Po ashtu një tjetër problem, që është pranuar nga Kolegji i Apelimit është edhe një ankesë nga një qytetar, për lidhjet e gjyqtarit me një biznesmen dhe pushimi i një çështje penale.
Fill pas këtij lajmi, ka reaguar edhe Presidenca, me anë të zëdhënësit Tedi Blushi, i cili shkruan se nuk ka asnjë surprizë nga “vettingu i partisë” dhe se vijon skenari për bllokimin e Gjykatës Kushtetuese.
“ZERO SURPRIZË nga vettingu i Partisë. Pas dështimit të rrëmbimit flagrant të Gjykatës Kushtetuese, rikthehet skenari për bllokimin e këtij institucioni nga të njëjtët aktorë që e bllokuan për tre vjet. TURP! TURP! TURP!”, shkruan Blushi.




