Mesazhet nacionaliste në Bruksel, Prishtina pret reagim dhe ndjesë nga BE-ja

Mos i humb

Kryesuesja e Komisionit për Integrim Evropian, Jehona Lushaku-Sadriu, ka kërkuar nga ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, në takimin e sotëm, që zyra e BE-së të kërkoj falje për incidentin e ndodhur gjatë koncertit në hapje të Forumit të Zgjerimit në Bruksel.

Ajo shprehi pakënaqësinë e saj edhe për mos ftesën e krerëve institucionalë në këtë forum.

Kryesuesja e komisionit bëri të ditur se ka dërguar letër edhe tek komisionerja Marta Kos dhe përfaqësues tjerë të BE-së rreth incidentin në Forumin e Zgjerimit.

“Jam e habitur nga një incident që ka ndodhur javën e kaluar në Bruksel, në forumin për zgjerim. Kosova është një vend shumë pro-evropian. Ishte edhe zhgënjyese për mungesën e përfaqësimit institucional në këtë forum dhe ashtu siç e dimë të gjithë, është një forum i cili ka shumë qëllime, të çoj mesazhe pajtuese dhe tek e fundi misioni i BE-së është të ndihmoj vendet t’i tejkalojnë këto ndasi. Më vjen keq, por duhet ta shpreh zhgënjimin tim, ka një javë që po presim një lloj kërkim falje institucionale e formale ndaj Republikës, për të sqaruar këtë incident, për të siguruar që janë marrë masa. Unë, si kryesuese, kam dërguar letër te Marta Kos dhe përfaqësuesit e tjerë të BE-së”, tha ajo.

Këto komente Lushaku – Sadriu i bëri në takimin e Komisionit për Integrim Evropian të Kuvendit me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel.

Koncerti i organizuar në mbrëmjen e 15 nëntorit, në kuadër të hapjes së Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel, është shndërruar në një incident diplomatik mes Kosovës dhe BE-së.

Gjatë programit muzikor u interpretua melodia e këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo”, e cila përmban pretendime territoriale ndaj Kosovës.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit