Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta reagoi sot ndaj situatës së krijuar në Kryesinë e Kuvendit, duke theksuar se asgjësimi i të drejtave kushtetuese të opozitës është sulm ndaj pluralizmit politik.
Deputetët e përjashtuar të opozitës për shkak të bllokimit të seancës plenare, kërkuan sot të hyjnë në Kryesinë e Kuvendit.
Meta tha se kriza që ka prekur Kuvendin, nuk zgjidhet me Gardën e Republikës, por me respektimin e Kushtetutës.
“Dënoj me ashpërsi militarizimin e institucionit më të rëndësishëm të Republikës, Kuvendit të Shqipërisë. Asgjësimi i të drejtave kushtetuese të opozitës është sulm ndaj pluralizmit politik dhe llogaridhënies para qytetarëve”, shkruan Meta.
“Partia e Lirisë mbështet vendosmërisht qëndrimin e opozitës e në veçanti garantimin e ngritjes të komisioneve hetimore në Kuvend, të drejtën e opozitës për të zgjedhur përfaqësuesit e saj në Komisionin e Reformës Zgjedhore, garantimin e shqyrtimit të të gjitha projektligjeve që opozita ka depozituar në Kuvend dhe që bllokohen prej vitesh. Deputetët e opozitës përfaqësojnë zërin e mbi 700 mijë qytetarëve të cilët kanë të drejtë të dëgjohen”, u shpreh Meta.


